Autostrada Korçë-Ersekë, nisin punimet

Një prej akseve më problematike sa i takon lëvizjes së automjeteve, ai Korçe-Ersekë iu është nënshtruar punimeve për ndërtimin e një autostrade të re që pritet t’i japë fund makthit të udhëtimit për në qytetin e vogël.

Puna e cila tashmë ka nisur përfshin sistemimin, zgjerimin, vendosjen e veprave të artit dhe kap një vlerë prej 2 mld lekë. Disa prej segmenteve më të vështirë përgjatë kësaj rruge duket se do të shmangen për ta bërë më të lehtë udhëtimin drejt qytetit të Ersekës duke sjellë kështu edhe shkurtimin e distancës nga Korça.

Drejtuesit e mjeteve të cilët më së shumti udhëtojnë në këtë rrugë kanë treguar se gjendja e saj aktuale iu ka shkaktuar dëmtime të shumta në automjetet e tyre, ndërsa kanë bërë thirrje që punimet të kryhen sa më shpejt dhe të zgjidhet përfundimisht problemi i kësaj rruge.

Afati përfundimtar për këto punime është qershori i vitit të ardhshëm, ndërsa pritet që rruga të jetë e parametrave bashkëkohore dhe distanca nga Korça në Ersekë të mos jetë më shumë se 40 km.

Top Channel