Prodhuesi britanik i medikamenteve GlaksoSmithKlajn (GlaxoSmithKline),  po kërkon miratimin për vaksinën e parë kundër malarjes, pas paraqitjes së të dhënave se ka reduktuar numrin e rasteve tek fëmijët afrikanë.

Vaksina e njohur si RTSS, e cila po ndiqet prej 18 muajsh, ka përgjysmuar numrin e të sëmureve me malarje tek fëmijët dhe ka reduktuar me një të katërtën numrin e të prekurve tek foshnjat. Përmes nje deklarate, GlaksoSmithKlajn që është përpjekur prej tre dekadash të arrije tek ajo, kërkon t’i paraqesë një kërkesë të rregullt Agjensisë së Mjekësisë Europiane (EMA) në vitin 2014.

Nëse do të bëhet miratimi për të marrë licensën e saj nga EMA, siç shpjegon në deklaratë GlaksoSmithKlajn, Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të rekomandojë përdorimin e saj në fillim të 2015.

Malarja është një sëmundje që shkaktohet nga mushkonjat dhe sjell për pasojë vdekjen e qindra-mijëra personave në vit, kryesisht foshnjave në vendet e Afrikës sub-sahariane. Sipas shkencëtarëve, një vaksinë efektive është çelësi për ta çrrënjosur sëmundjen.

Megjithatë, shpresat se RTS,S është përgjigjia e fundit u lëkundën vitin e kaluar kur rezultatet në fazën e fundit të testimit me 6537 foshnja nga gjashtë deri në 12 javë treguan një mbrojtje modeste duke kufizuar me 30% sëmundjen krahasuar me një vaksinë të kontrolluar.

Top Channel