
Në këtë kohë kur plazhi në Shëngjin është boshatisur krejt, ato janë frekuentueset e vetme që preferojnë të shëtisin e argëtohen mjediseve të tij. Irina, Maria dhe Lejla janë tre shtetase ruse të cilat kanë lënë Euroazine për të jetuar në Shqipëri. Dhe vendi ideal për to ka qenë Shëngjini.
Irina tregon: “Më ka pëlqyer shumë Shëngjini. Kemi pasur ndër mend të blinim një apartament në bregdet për pushime dhe ishim midis Spanjës, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Shqipërisë dhe në fund zgjodhëm Shqipërinë për klimën, ushqimin, plazhin, për detin që është shumë i mirë për fëmijët. Këtu është infrastruktura shumë e mirë, është shumë pastër, shumë qetë. Vendi është shumë i bukur, me pamje shumë të bukur. Janë edhe rreth 10 familje ruse që kanë blerë apartamente këtu dhe janë shumë të kënaqur. Ata vijnë, rrinë disa muaj dhe ikin.”
Kjo familje e vogël ka shërbyer edhe si një lajmëtare në rrethin e të afërmve në Moskë duke përhapur përshtypje shumë të mira për vendbanimin e tyre të dytë. Kështu ato kanë tërhequr edhe njerëz të tjerë të blejnë shtëpi në Shëngjin. Një prej banorëve më të rinj në këtë kompleks është Georgy Chikvaidze, vëllai i Irinës dhe daja i Maries. Ai dhe familja e tij janë shumë të magjepsur nga vendi, të cilin personalisht e ka zgjedhur për të bërë pushime të gjata.
“Kur erdha herën e parë këtu më pëlqeu shumë dhe ndieja sikur isha në shtëpi. Ka ca vende ku ti vjen dhe nuk do të largohesh më dhe ashtu ishte për mua Shëngjini. Ka plazhe shumë të bukura, me ajër të pastër dhe tani po këshilloj edhe shokët e mi të vijnë e të blejnë apartamente. Po reklamoj Shqipërinë sesa bukur është sepse në Rusi nuk njihet shumë Shqipëria”, thotë Georgy.
Ndërsa për familjen Orehova (Irinën, Marinë dhe të voglën Lejla) zgjedhja shkon përtej pushimeve. Ato tanimë e ndiejnë këtë vend si shtëpinë e tyre. Maria ka zhvilluar edhe aktivitetin e saj në Shëngjin dhe kjo tregon një perspektivë në terma afatgjatë për qëndrimin e tyre këtu dhe klima e pozita gjeografike nuk kanë qenë joshja e vetme që ka ndikuar në këtë vendim: “Gjëja kryesore që na ka pëlqyer këtu janë njerëzit sepse njerëzit këtu janë shumë mikpritës, të qeshur, janë shumë të mirë dhe janë popull shumë i mirë dhe shumë i bukur. Në fillim kur erdhëm këtu nuk e ndjenim veten sikur ishim të huaj, tani madje kemi bërë edhe shumë miq.”
Ja përse për këta shtetas të Rusisë të superfuqishme, ja ka vlejtur të blejnë një banesë në Shqipëri, pikërisht në Shëngjin: “Jam shumë i kënaqur dhe vlen të investosh e të kesh një shtëpi këtu sepse vendi është shumë i bukur dhe shpresoj që fëmijët e mi dhe fëmijët e fëmijëve të mi të vijnë këtu për pushime.”
Dhe tashmë Shëngjini për moskovitët është bërë shtëpia e tyre e dytë. E madje nuk janë të vetmit. Dorian Leknikaj, një ndërtues në këtë zonë, thotë se vitet e fundit shtetas të kombësive të ndryshme kanë blerë apartamente në këtë anë të bregdetit shqiptar: “Në këto 7 vitet e fundit kanë nisur të blejnë hyrje. Janë mbi 30 familje që kanë blerë nga Rusia, Polonia, Cekia dhe Suedia.”
Me bukurinë e pamatë të natyrës, klimën që krijon kushtet ideale për një jetesë të shëndetshme dhe karakteristikat e traditës së shqiptarisë, Shëngjini po kthehet në një promotor të Shqipërisë për të huajt.
“Për momentin nuk mendojmë të ndërrojmë vend. Do vazhdojmë të rrimë këtu. Është klima shumë e mirë për fëmijët, për të moshuarit dhe ata që kanë probleme me shëndetin. Edhe ushqimet janë shumë të mira dhe të jetosh me njerëz si shqiptarët është shumë mirë. Ndaj, nuk mendojmë të shkojmë askund.”
Top Channel