
Asaf ka 6 vjet që jeton në Shqipëri. Ka zgjedhur Vlorën nga shtatori i 2007-s si qytetin e mundësive të mira, ku tashmë ushtron profesonin e tij të biologut detar. Kjo fermë e kultivimit të peshkut në brendi të Karaburunit është puna e tij e përditshme, arsyeja pse vendosi të lërë përfundimisht Izraelin në këmbim të Vlorës.
“Kur erdha këtu nuk kisha fare informacion për Shqipërinë, çdo gjë që di e kam mësuar nga njerëzit këtu. Vendet tona kanë histori shumë të bukur dhe ne përpiqemi të japim sa më shumë informacion për Shqipërinë tek shokët tanë”, thotë Asafi.
Edhe pse pa anjë informacion paraprak, zgjedhja nuk shkoi aspak keq, përkundrazi, Asafi dhe bashkëshortja e tij Shira, janë të mrekulluar nga gjeografia shqiptare: “Kur erdha për herë të parë më pëlqeu shumë pamja. Nuk e kemi vizituar akoma veriun, por jugun e kemi shëtitur dhe na pëlqen shumë.”
Përveç së shkuarës, Izraelin dhe Shqipërinë nuk është se i lidhin shumë gjëra bashkë. Po ashtu, edhe mendësitë e traditat e dy vendeve dallojnë shumë. Megjithatë, çifti hebre e gjen veten shumë mirë në Shqipëri: “Ka probleme, por ka edhe të mira. E para është mikpritja dhe e dyta toleranca për të gjitha origjinat dhe fetë.”
Por, kur vjen puna për të krjuar një rreth miqësie, zgjedhja ngushtohet: “Normalisht, mentaliteti ynë është pak ndryshe. Ne jemi pak më të hapur dhe duam pak kohë të krijojmë një shoqëri që të flasim krejt hapur, por nuk na mungon ndonjë gjë e rëndësishme.”
Megjithatë, Shira po gjen si t’i ëmbëlsojë shqiptarët. Një dyqan me receta izraelite: “Njerëzit nuk janë të mësuar me ëmbëlsirat tona. Ne kemi tortë me djathë dhe ata çuditen. Por, e provojnë dhe vijnë prapë.”
Por, edhe Shqipëria i ka ëmbëlsuar mjaftueshëm Asafin dhe Shirën, aq sa ata po kërkojnë të marrin nënshtetësinë shqiptare: “Nuk bëjmë plane të gjata, por do të kërkoj pasaportë shqiptare dhe mendoj se nuk jemi keq në Shqipëri dhe mund të qëndrojmë.”
Top Channel