Vizita mjekësore për të “identifikuar” homoseksualët

07/10/2013 00:00

Do të ngrihen grupe mjekësh në porte, aeroporte dhe në pikëkalimet kufitare që do të vizitojnë personat që hyjnë në vendet e tyre për të ndaluar hyrjen e homoseksualëve.

Ky është thelbi i një projektligji të propozuar nga Ministri i Shëndetësisë i Kuvajtit dhe që mund të zbatohet në të gjitha vendet e Gjirit Persik që janë pjesë e organizatës së vendeve të Gjirit.

“Qendra mjekësore në vend vizitojnë cdo shtetas të huaj që hyn në vendet e Gjirit, megjithatë ashpërsimi i masave është i nevojshëm për të identifikuar homoseksualët dhe për të mos i lejuar ata që të hyjnë në vend”, citohet nga mediat kuvajtiane ministri vendas i shëndetësisë.

Vec Kuvajtit pjesë e organizatës së vendeve të Gjirit janë edhe Bahreini, Katari, Omani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Homoseksualizmi është i jashtëligjshëm në të gjitha këto vende dhe dënohet rëndë, por kjo masë konsiderohet drastike dhe e tepruar nga organizata të lirive të të drejtave të njeriut.  

Top Channel