Sprova e drejtoreve

07/10/2013 00:00

Qeveria e kryeministrit Rama, midis disa risive, ka sjellë edhe atë të rekordit të numrit të femrave pjestare të kabinetit. Pjesëmarrja sa më e gjerë e femrave është një objektiv e qeverisë jo vetëm në pjesën e dukshme të saj, në nivelin ministror dhe zëvendësministror, por edhe në të gjitha nivelet e administratës.

Për të debatuar për këtë brez të ri vajzash drejtuese, Rudina Xhunga, në emisionin e saj “Shqip”, solli në studio dy prej emrave më përfaqësues të këtij ndryshimi, Brisida Shehaj dhe Elisa Spiropali.

Të dyja kanë studiuar ekonomi dhe të dyja do të drejtojnë dy sektorë kyçë që lidhen me financat publike të Shqipërisë, doganat e tatimet.

“Nuk e di se çfarë moshe është e duhur, nëse ka ndonjë moshë për të drejtuar. Besoj se duhet vetëm vullnet dhe të zbatosh ligjin”, deklaroi Shehaj, duke nisur kështu debatin në studio nga kritikat që i janë adresuar për moshën e saj.

E pyetur për kritikat e tjera që lidhen me jetën private, e publikimin e disa fotove nga jeta e saj private në shtyp, Shehaj tha: “Mua më vjen shumë keq që një vend që aspiron të futet në BE e quan problem që të mos jesh martuar, por mesa duket, kjo qënka arsye për t’u bërë objekt sulmi. Unë nuk e shoh si pengesë aspak. Sulmi nga gazetat e PD? i kam parë, si kam ndjekur shumë, por nuk më vjen mirë për mënyrën se si përdoren fotografitë. Sa për të sqaruar, unë nuk kam “Facebook”, një llogari që kam pasur është mbyllur prej vitesh dhe më vjen keq që janë marrë foto nga profili i miqve të mi. Nuk kam kompleks apo frikë nga fotot e 2006-s apo 2007-s në ambiente publike. Unë nuk e di si shkojnë njerëzit në plazh, gazetarët e RD-së, por të shkosh në një lokal në Dhërmi nuk më duket mëkat. Kështu që normalisht më vjen mirë që dalin ato foto pasi s’kam gjë për të fshehur”.

30-vjeçarja është kritikuar në disa media edhe për formimin e saj të pamjaftueshëm, për të drejtuar një pozicion kyç si ai i Drejtoreshës së Tatimeve. Këtyre kritikave, e reja iu përgjigj: “Unë kam mbaruar shkollën e mesme në “Petro Nini Luarasi”, pastaj vazhdova në Ekonomik. Pjesën e punës kanë më shumë për të hulumtuar, më kanë kritikuar për qënien arkëtare, por ky është zanat i nderuar. Unë kam mbaruar Fakultetin në vitin 2006 me mesatare 8, për administrim biznesi. Ndërkohë, kërkova të futesha në bankë dhe aplikova nga niveli bazë, pasi arka është vendi ku mësohesh me gjithçka. Është një punë e nderuar, si çdo punë tjetër e nderuar. Unë doja të fitoja respekt në atë profesion, duke e nisur nga niveli më i ulët, e kështu nisa tek “Tirana Bank”. Pas disa muajsh atje kalova në disa banka të tjera, si Banka Amerikane, ku isha kryearkëtare, më pas tek “NBG” shefe operacionesh e portofoli të kredive të këqija, e në fund punova tek “Emporiki Bank” në 3 vitet e fundit, në pozicionin e drejtorit të bankës kryesore tek kullat binjake, pozicion që të lë hapësirë për të mësuar shumë dhe të rrit vetvetiu si njeri”, komentoi Shehaj.

Në “Shqip”, drejtoresha e re e Tatimeve tregoi edhe një ndodhi interesante nga fushata elektorale, kur ishte pikërisht ajo punonjësja e zyrës, që vizitoi atëherë kryebashkiaku dhe tashmë kryetari i opozitës, Lulzim Basha. “Ne ishim në zyrën elektorale. Hyn kryetari i bashkisë, bashkë me disa deputetë në mos gaboj. Futet në zyrë me atë buzëqeshje dhe me mirësjelljen që e karakterizon për të bërë batutën e bukur publicitare që jemi ndryshimi, thotë fitoftë më i miri. i them që atëherë do të fitojmë ne, e me kaq u mbyll ai komunikim. Ishte thjeshtë një batutë publicitare”, tha Shehaj.

E pyetur nëse tatimet do të njohin të majtë e të djathtë, Shehaj tha: “Ne jemi dy vajza të reja që kemi bindjet tona, por edhe formimin tonë e përsa kohë u pranuam në detyrë aty jemi për të zbatuar ligjin, jo bindjet. Ligji është një dhe këtë e parashturam edhe në takimin me biznesin dhe vetëm ai një ligj do të zbatohet”.

Përsa i përket Spiropalit, ajo vjen nga një formim i ndryshëm. “Unë kam mbaruar ekonomi dhe politikë në SHBA, kam ikur më e vogël. Unë e kam mbaruar universitetin në SHBA, në 2006-n. Në fakt kam ikur nga Shqipëria më herët, që 16 vjeç në një kolegj ndërkombëtar në Kanada. Fitova një bursë në Shqipëri si një ndër pesë gjimnazistet më të mira, nga Kanadaja aplikova në SHBA, punova një vit në Nju Jork në një firmë ligjore ku përfaqësoja klientë për çështje sigurimesh në gjyq dhe pastaj u ktheva. Nuk ka qenë endrra ime të jetoja jashtë, ndaj jam kthyer. Mua m’u propozua posti nga kryeministri pas një konsulte dhe nuk e kisha menduar për shumë arsye se mund të merrja këtë rol. Kam filluar ta kuptoj pse lakmohet posti. Doganat nuk janë një sfidë estetike, një femër në krye të doganave dhe as e shoh si dy femra në krye të doganave, por si dy njerëz që kanë një pozicion sepse ka pasur një besim përkatës që mund ta bëjnë. Unë nuk merrem me TV apo që shkruajnë sepse ato shkrime më duken aq mediokre sa nuk ia vlen”, komentoi Drejtoresha e Doganave.

Një vëmendje këto ditë tërhoqën shkëmbimi i batutave midis Spiropalit dhe ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të konsideruar prej kryetares së Doganave si “Zonja e Leshtë”. “Përderisa e shkrova atë koment, besoj se Topalli e meritonte. Arsyeja e parë, ajo është një zonjë që ka pasur shumë pushtet politik në Shqipëri dhe nuk është shquar kurrë për promovimin e grave të tjera, që është një minus në karrierë. Sulmon kryeministrin që po i jep grave një vend që se kanë pasur në 100 vjet shtet shqiptar. Dhe kjo nuk e sulmon për zotësinë e personave, por për faktin që zgjedh gra në detyrë. Dhe e dyta, zonjës Topalli nuk i kishte hije të përmënde në Parlament atë fjalë që i përmenda në tekst”.

Një ish-drejtuese e FRESSH-it, emërimi i Spiropalit në krye të Doganave ka ngjallur dyshime se ish-bashkëpunëtorë të saj mund të emërohen në role të tjera në këtë drejtori. “Absolutisht jo, edhe ata janë të qartë për këtë. Ata që e meritojnë, ata që japin e kanë dije, ata që mund të kontribuojnë janë ata që promovohen dhe shumë shpejt do të shpallet një konkurs për institucionet ku do të punohet, një konkurs i hapur që të rinjtë me shkollim përkatës mund të aplikojnë në këto detyra”, deklaroi Spiropali.

Marrëdhënia e saj me kryeministrin Rama nuk ka qenë gjithmonë e mirë dhe të dy palët u konfliktuan gjatë kohës në të cilën ajo konkurroi për të drejtuar edhe një herë më shumë FRESH-in. “Unë mendoj se gjithmonë ka një kohë për të debatur, sidomos në një parti politike ku idetë dhe të drejtat përplasen, e është gjithmonë mirë të ketë debate të tilla. Nga ana tjetër ka gjithmonë një kohë për të ulur kokën, për të marrë detyrën e zbatuar ligjin, siç po bëj tani”, u përgjigj Spiropali, e cila gjithashtu premtoi se nuk do të ketë më diskriminime në mbledhjen e doganave, duke favorizuar bizneset e afërta me drejtues politikë të majtë. “Edhe në takimin që ne bëmë me bizneset, u tha qartë që biznesi nuk do të jetë më as klient i politikës e i dogënës, por as përfituesi dhe as i vuajturi. Përgjithësisht u luajt kjo në të shkuarën për të fortët e politikës me muskujt, ku dogana hapte traun dhe për të dobëtit nuk ka ndodhur. Unë s’po them që s’ka pasur progres, por dogana ka një imazh negativ ndër njerëz, përceptohet si një institucion shumë i korruptuar dhe i lidhur drejtëpërdrejtë me politikën, me njerëz e militantë që sulmojnë biznesin. Ndaj, ka ardhur koha të ndryshojë pasi shteti do të marrë forcën e tij, në një vend të varfër si shqipëria, s’mund të ketë institucione që nuk mbledhin detyrimet e tyre”.

Por si do ta ndryshojë punën e doganeve drejtoresha e re? Si do t’u përgjigjet skeptikëve, që nuk janë të paktë? Për këtë Spiropali tha: “Në doganat shqiptare nuk do bëhet më lekë. Kushdo që kapet duke dëmtuar shtetin, duke shkelur ligjin, do ndëshkohet sipas ligji, kujtdo partie qoftë. Ne do të jemi partnerë të biznesit që është nxitësi kryesor i rritjes ekonomike. Kushdo që i bie në qafë padrejtësisht biznesit do shkojë para ligjit, ama biznesi do shlyejë të gjitha detyrimet ndaj shtetit shqiptar. Grupi ynë hetimor, pasi kisha marrë detyrën, grupi aktual, zbuloi dhe pa që në një magazinë të mbrojtur, nga 4400 ton naftë figuronte që kishte zero dhe kjo quhet kontrabandë. Dosja i kaloi Prokurorisë së Lezhës dhe zotit Llalla. Raste të tilla mund të ketë patur shumë që i kanë shkaktuar shtetit dëme të jashtëzakonshme. Ne e dimë që lidhjet e biznesit me politikën kanë dëmtuar rëndë të ardhurat e shtetit.

Drejtorja e Tatimeve, Brisida Shehaj deklaroi se administrata e tatimeve është e fryrë me punonjës me kontrata të përkohëshme të lidhura sidomos në periudhën janar-shtator të këtij viti. Ajo tha se nuk do të ketë spastrime, por do t’u jepet mundësia të gjithë personave të këtij kontigjenti për t’iu nënshtruar konkursit për të marrë pozicionin e përshtatshëm të punës.

Ndërsa Drejtorja e Doganave, Spiropali tha se puna e saj ka nisur me rëndësi të vecantë për hetimit  të shkeljeve: “Ne jemi në alarm për të kuruar emergjencën që kemi që të nisë mbledhja e të ardhurave normalisht. Ne po i japim rëndësi të vecantë hetimit për të bërë një listë të shkeljeve në administratën doganore. Të gjithë kryetarët e degëve, edhe Drejtoria e Përgjithshme, janë udhëzuar t’i identifikojnë këto shkelje. E kemi shumë seriozisht. Nuk do merremi vetëm me peshqit e vegjël, por do të hetojmë në rrënjë problemin”, tha ajo.

Mungesa e eksperiencës ka qenë njëra prej kritikave më të forta të adresuar ndaj këtyre dy emërimeve. Drejtorja e Tatimeve u përgjigj: “Unë vij nga një punë, nga sistemi bankar ku puna kryesore ka qenë marrëdhënia me biznesin. Unë dhe Erisa jemi në këto pozicione me një qëllim, të rilindim Shqipërinë dhe jo vetëm në letër”, tha ajo.

Erisa Spiropali shpalosi në emisionin Shqip edhe objektivin e saj në krye të doganave: “Kemi bërë një studim dhe angazhimi ynë është që në një afat kohor prej 4 vitesh të rriten të ardhurat me të paktën 50 përqind. Sigurisht kjo varet shumë nga faktorët të tjerë, si rritja ekonomike dhe politika e taksave. Por problem është që ne nuk kemi të përputhur sistemin e doganave me sistemin e doganave të Bashkimit Europian. Kjo kërkon një punë gjigante, staf, modernizim”, deklaroi Spiropali.

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave deklaroi se problem dhe një mungesë e theksuar e zbatimit të ligjit vërehet tek të gjitha mallrat e akcizës. Ajo renditi dy faktorë kryesorë për këtë, mungesën e stafit dhe neglizhenca.

Në pjesën e tretë, panelit të Shqip iu bashkua edhe përfaqësuesi i biznesit, Nikolin Jaka. Ai tha se ka një mosbesim të thellë të dyanshëm mes sistemit dhe sipërmarrjes, por tha se ajo që është e rëndësishme është angazhimi i sipërmarrjes për të përmbushur angazhimet e veta. Ai tha se janë adresuar shqetësimet e biznesit dhe se ka marrë zotimin e qeverisë së re për shqyrtimin e tyre. Kreu i Dhomës së Tregtisë tha se ishte optimist mbi zotimet e qeverisë dhe kryeministrit Rama, ndërsa vlerësoi se problemi më i madh i ekonomisë shqiptare është informalizmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA