Rio, policia mësyn “Favelas”

07/10/2013 00:00

Qindra forca sigurie braziliane të mbështetura edhe nga mjetet e blinduara morën kontrollin e 12 lagjeve të varfra në Rio de Zhaneiro.

Operacioni në “Favelas”, sic njihen ndryshe këto lagje të sajuara në kodrat e Rios është pjesë e planit të qeverisë për të eleminuar bandat e trafikut të drogës nga këto zona. Këto njësi të reja policore, pas marrjes së kontrollit do të vendosin baza në zonën e Lins de Vaskonselos, ku jetojnë rreth 15.000 njerëz.

Policia braziliane bëri me dije se bandat e armatosura të zonës nuk bënë asnjë rezistencë dhe autoritetet morën kontrollin e “Favelave” pa u përballur me asnjë rrezik. Që prej 2008, rreth 34 qendra të tilla policore janë ngritur në vend në lagjet e varfra, por shpesh ka pasur raporte për dhunë dhe brutalitet nga policia.

Qëllimi final i qeverisë braziliane është që të sjellë paqe dhe rend në këto zona para dhe gjatë Kupës së Botës 2014 dhe Lojërave Olimpike të 2016-ës që do të zhvillohen në Brazil.

Vendosja e rendit në këto zona dhe garantimi i sigurisë së turistëve të shumtë që do të dynden në Brazil gjatë viteve të ardhshme për shkak të këtyre evenimenteve sportive globale është një prioritet i autoriteteve braziliane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB