Qeveria “Rama” dhe disa paragjykime rajonale

07/10/2013 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Në një koment të para disa ditëve, ish-kreu i
qeverisë “Berisha” shprehej se Edi Rama i ka premtuar Kryeministrit
turk, Erdogan votën “pro” Palestinës në OKB.

Megjithëse nuk shprehet drejtpërdrejt nëse kjo është diçka pozitive apo negative, me evokimin e votës abstenuese të Shqipërisë një vit më parë, ndaj të njëjtës çështje në OKB, ish-kryeministri e jep qartë pozicionin e tij në raport me këtë temë. Përkundër këtyre komenteve të Berishës, kundërshtari i tij politik, Kryeministri Edi Rama, i ka dhënë jetë një aksi të pazakontë komunikimi me Turqinë e Erdoganit, në muajt e fundit. Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu, u shpreh hapur gjatë vizitës së tij para pak orëve në Tiranë, se ishte i lumtur që u bë shefi i parë i diplomacisë ndërkombëtare që shkelte vendin tonë pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Kjo simbolikë kohore i përkon një axhende të ngarkuar, në muajt e fundit, me takime të të gjitha niveleve, mes qeverisë turke dhe fitimtarëve të zgjedhjeve të 23 qershorit, qysh kur këta të fundit ndodheshin ende jashtë qeverisjes formale. Pas një viti kalendarik, ku marrëdhënia gjithashtu e ngrohtë mes Berishës e Erdoganit ia la vendin kthimit të krahëve (kryesisht për shkak të abstenimit të Shqipërisë me rastin e rezolutës palestineze një vit më parë), duket se mes dy kryeqyteteve është kthyer dëshira për të bashkëpunuar ngushtë. Çka presupozon, siç u tha në vizitën e fundit të Davutoglu, në hartimin e një dokumenti për partneritetin strategjik, në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, e në dhënien e ndihmës e ekspertizës për institucionet shqiptare.

Komentatorë të ndryshëm kanë parë te ky afrim mes Erdoganit dhe Ramës, jo vetëm premtimet e pretenduara për çështje si Palestina, por edhe një gamë të gjerë interesash ekonomike, të cilat përfshijnë energjinë dhe financat. Një kredi e butë turke mund të jetë njëra ndër prurjet e para në buxhetin e boshatisur të shtetit shqiptar.

Turqia përbën një hap surprizë të së majtës, në këto ditë të para të mandatit të saj qeverisës. Deri më sot opinioni (spekulativ) gjerësisht i përhapur për socialistët, në radhët e të djathtës historike e ndjekësve të saj brenda e jashtë Shqipërisë, ka qenë se ata janë aleatë preferencialë të Athinës dhe mbrojtës të interesave të saj. Këtë perceptim të përhapur me ngulmim ndër vite nga qarqe e nacionalistëve të vjetër jashtë vendit, por të përcjellë edhe nga një pjesë e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, kryesisht adhurues të Berishës, nuk e kanë përmbysur dot ngjarjet e shumta, të cilat shkonin në drejtimin e kundërt. Për shembull, ardhja e qeverisë së djathtë në vitin 2005 në pushtet, solli si efekt të parë, në atë kohë, hapjen e shkollave private greke në Himarë e Korçë, çka ishte penguar me gjithfarë pretekstesh nga socialistët deri në atë kohë. Më pas do të vijonin gërmimet masive për eshtra ushtarësh grekë, të pasuara nga marrëveshjet për memorialët e tyre në Jug të Shqipërisë. Më në fund, një marrëveshje detare e kontestuar gjerësisht nga opinioni publik shqiptar, e cila do të hidhej poshtë me unanimitet nga Gjykata Kushtetuese, ishte sërish vepër e një qeverie të djathtë. E ky vendim merrej pas një padie të iniciuar nga opozita socialiste.

Megjithatë, përballë këtij historiku të shkurtër marrëdhëniesh të trazuara me fqinjët, perceptimi se e djathta e Berishës mbronte kombin dhe interesat e tij, kurse e majta e Nanos, Majkos e së fundi Ramës, ishte e “shitur” te fqinjët jugorë, vijoi të bënte vend me kokëfortësi në retorikën e ditës.

Tani që Edi Rama nuk është më thjesht një lider politik, por kreu i ekzekutivit, duke pasur mbi vete edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të vendit në botë, ai ndodhet përballë nevojës imediate të shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha linjave të politikës tonë rajonale. Kursi parimor që ai zgjodhi tre vjet më parë ndaj Greqisë, në rastin e marrëveshjes detare, tani lipset të sintetizohet në një qëndrim të mëtejshëm konkret, që do të jetë në fakt qëndrimi ynë zyrtar si shtet, sa i takon kësaj teme delikate. Pa harruar problemet e tjera që mbeten hapur mes dy vendeve, e që përfshijnë fërkimet për pakicat, trajtimin e emigracionit tonë ekonomik në Greqi etj.

Një tjetër “patate e nxehtë” në duart e Edi Ramës është Kosova dhe më gjerësisht çështja shqiptare në rajon. Marrja e një këshilltari nga Prishtina në javët e fundit nga ana e Kryeministrit të ri shqiptar, ka sjellë reagime të ndryshme në Tiranë, por ka treguar njëherësh se Rama ndien nevojën që të angazhohet posaçërisht në drejtim të pjesës tjetër të kombit jashtë kufijve shtetërorë. Me të cilën historia e të majtës shqiptare jo gjithmonë ka ndarë eksperienca të këndshme. Deri tani qeveria “Rama” ka zbuluar planet e saj për një traktat miqësie me Kosovën. E kjo duhet të jetë platforma që do të sfidojë një problem të ri dhe të vjetër për të majtën në pushtet. Njihet afrimiteti dhe simpatia e përhapur për Berishën në Kosovë dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë, që ka pasur si antipod të saj një paragjykim të hershëm për palën tjetër, socialistët. Mbetet të shihet sesa do ta ndryshojë këtë raport historik forcash, ngjitja në skenë e të majtëve në Tiranë dhe deklaratat e tyre të përsëritura për një politikë të re dhe preferenciale me Kosovën. Një kapitull më vete përbën çështja e marrëdhënieve me Maqedoninë, të cilat shkaktuan një furtunë të vogël politike në Tiranë, pas deklaratave të Ramës për pakicën maqedone, në prani të Presidentit maqedon.

Qeveria e re ka hedhur në letër konturet e para të asaj që do të jetë politika e saj rajonale. Edi Rama po hyn gradualisht në një terren që historikisht ka qenë tinëzar e plot kurthe për lidershipin tonë politik. Mënyra sesi ai do t’i trajtojë problemet e mprehta që shoqërojnë marrëdhëniet me fqinjët, do të jetë përcaktuese jo vetëm për imazhin tonë në Ballkan e Europë, por edhe për zhvillimet konkrete brenda vendit tonë në fusha si ekonomia, energjia e investimet. Drejt Europës shkohet duke normalizuar lidhjet me fqinjët. Një aksiomë e vlefshme për të gjitha kohët. Edhe për të tanishmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA