Ngritja e tavanit të borxhit

07/10/2013 00:00

Mbyllja e pjesshme e qeverisë federale nuk është problemi i vetëm, me të cilin përballen ligjvënësit në Washington.

Kongresi është nën kërcënimin e një beteje të re fiskale; ngritjes së tavanit të borxhit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, këmbëngul se duhet të zhvillohen negociata për të mos lejuar, që të skadojë afati. Por, edhe pse koha shtrëngon, Boehner nuk është i gatshëm për marrëveshje, të cilat do të përfshinin kërkesat kyçe të demokratëve.

“Jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me presidentin, që këtë javë. Por, refuzimi i Obamës për të negociuar është duke e vënë vendin në rrezik. Është koha të flasim për problemin e shpenzimeve, përfshirë masat për frenimin e kostos së programeve të tilla, si “Medicare”, të cilat kushtojnë shumë”, theksoi John Boehner.

Ndërprerja e punës së administratës ka ndikim në situatën e brendshme, por paaftësia e Amerikës për të shlyer detyrimet e borxhit publik, mund të krijojë dallgë të trazuara, që do të ndjeheshin në mbarë globin.

Javën që vjen, qeveria federale arrin nivelin maksimal të lejueshëm për borxhin publik. Nëse Kongresi nuk e rrit tavanin, vendi mund të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet e borxhit dhe kredibiliteti i tij, në tregjet financiare globale, do të bjerë ndjeshëm.

Demokratët në Kongres pretendojnë se i mirëpresin bisedimet, por jo nën kërcënimin e mbylljes së qeverisë, apo të një goditjeje ndaj ekonomisë. Ata thonë se bisedimet mbi një gamë të gjerë temash mund të rihapen, pasi të rifillojë funksionimi i plotë i qeverisë dhe të jetë miratuar rritja e nivelit tavan të borxhit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB