Karzai: NATO dështoi në Afganistan

07/10/2013 19:00

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, kritikoi NATO-n për dështim në misionin e ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në vend, pavarësisht përpjekjeve të një dekade.

“Në aspektin e sigurisë, misionet e NATO-s në Afganistan kanë shkaktuar shumë vuajtje, shumë jetë të humbura dhe asnjë përfitim, pasi vendi nuk është i sigurt sot”, deklaroi Karzai.

Sipas tij, “strategjia e aleancës ka qenë e gabuar, pasi është përqendruar në ndjekjen e talebanëve në fshatra, në vend që të përqendrohej në luftimin e tyre në oazet e sigurta të rajoneve tribale të Pakistanit”.

Presidentit Karzai i mbeten edhe gjashtë muaj në detyrë, përpara se një pasardhës të marrë mandatin në një periudhë vendimtare për vendin, përpara tërheqjes së plotë të trupave të aleancës së ISAF-it në vitin 2014.

“Nuk jam i kënaqur kur shoh se vendi është pjesërisht i sigurt. Nuk ishte kjo ajo që ne shpresonim të kishim. Ajo që ne kërkonim ishte siguria e plotë dhe një luftë e fituar ndaj terrorizmit”, deklaroi Karzai mbi fushatën e NATO-s.

Në intervistën për “BBC Newsnight”, Karzai deklaroi se përparësia e tij tashmë është që të sjellë paqe në Afganistan dhe është i gatshëm që të ndajë pushtetin me talebanët, për ta bërë këtë.

I pyetur për arsyen e përfshirjes së bisedimeve me islamistët ekstremistë, presidenti tha: “Ata janë afganë. Nëse presidenti apo qeveria afgane, mund të përfshijnë pjestarë të talebanëve në kabinet, do të ishin të mirëpritur. Megjithatë, kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira, ndaj ata duhet të marrin pjesë më parë në këto zgjedhje”.

Shqipëria ka marrë pjesë në disa misione, që prej lëshimit të fushatës së Afganistanit, ndërsa aktualisht vendi ynë ka 222 ushtarë si pjesë e koalicionit të ISAF-it.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta