Gjenerata e re në “perandorinë e gabimeve”

07/10/2013 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Në shoqëritë e vogla të tranzicionit, rritjet janë të
ngadalta dhe gabimet bëhen “perandori”. Por sidomos gabimet që lidhen me
qeverisjet dhe me politikën. Përkundër përmasës në shtim të gabimeve,
shoqëria zvogëlohet në pësime dhe kohëvonesa të vijueshme.

Në këtë fat paradoksal përpëlitet edhe shoqëria shqiptare. Një shoqëri që e do ndryshimin dhe e përqafon atë, por në mënyrën më të paorganizuar dhe sidomos në rrethana të mospërputhshmërisë me ndërgjegjen kolektive ligjdashëse, e komplikon dhe forcon mekanizmin vetëpengues. Në ditët e sotme të ndryshimit të qeverisë, shqiptarët po konsumojnë energjinë e zakonshme me debatin e dyanshëm, pro dhe kundër. Një pjesë, të shumtët, janë të majtët dhe natyrisht që po presin se “ku do dalë dhe deri ku do e çojë ndryshimin Kryeministri i ri, Edi Rama”. Pjesa tjetër, të djathtët, fatpërmbysur prej ikjes nga pushteti tetëvjeçar, e kanë nisur me ngut refuzimin dhe natyrisht opozitarizmin patetik. Janë dy anët klasike të përballjes politike në shoqërinë e demokracisë. Por është duke u “trashur” gjithmonë e më tepër edhe një shtresë e ndërmjetme, ajo që ndryshe konsiderohet “gri” brenda strukturës së debatit dhe diskutimit politik, por edhe në ndarjen reale të shtresave sociale.

Kryeministri Rama po e bën realitet përfshirjen e gjeneratës së re në qeverisje dhe në drejtimin institucional të vendit. Po e ul me ritme befasuese moshën mesatare të burokracisë së re të vendit dhe po thyen jashtë çdo parashikimi tabunë e disbalancës gjinore në vend, duke kaluar në radhët drejtuese femrat dhe sidomos duke shembur raportet klasike të diskriminimit gjinor në të cilin kemi qenë të klasifikuar si vend. Kryeministri Rama po zhbën strukturën e deritanishme të maskilizmit drejtues në burokracinë e vendit, por po thyen edhe mitin e pabesueshmërisë politike ndaj tyre. Zonjëzat e reja shqiptare të emëruara në disa prej institucioneve më të lakmuara dhe më të përgojuara për arsye të korrupsionit dhe mitëmarrjes së tmerrshme kolektive, janë pretendimi konkret i kryeqeverisësit të ri të vendit, për të krijuar një histori të re. Natyrisht një pretendim ndoshta i mirëmenduar për të mos u shndërruar në një proces që mund të dëshmojë vesin e korrupsionit pa dallim gjinor në këtë vend. Është ndoshta akti i parë dhe më i bujshëm i zgjerimit në përmasa të papara të burokracisë së vendit me pjesëtare femra. Kjo nuk është një zgjidhje, por kjo preferencë është një çelës që çel siparin e një imazhi të ri, dhe natyrisht përmbys një mentalitet maskilist, uzurpant dhe vrastar në shoqërinë pa rregulla dhe me përmbajtje tronditëse standardpërdhosjeje. Për shkak se “perandoria e gabimeve” politike dhe administrative në këtë vend është vërtet e madhe dhe me shtatlartësi tronditëse, zgjidhjet e vogla dhe prurjet e reja bëhen jo fort bindëse dhe natyrisht nuk e shembin dot lehtësisht skepticizmin e akumuluar. Kështu po ngjet aktualisht edhe në mjediset politikëbërëse dhe në opinionin masiv publik.

Qeveria po përballet me ngutin maksimal për kritika dhe refuzime si nga opozita zyrtare e vendit, ashtu edhe nga segmente politike brenda përkatësisë së vet. Një pjesë e analistëve dhe interpretuesve të zhvillimeve dhe jetës politike po këmbëngulin të shfaqet vokali i pakënaqësive të brendshme në PS për shkak të emërimeve dhe ndarjes së hiseve të pushtetit qeverisës në të gjitha nivelet. Në rrjetet sociale po vërshon maksimalisht pakënaqësia e militantëve të padurueshëm majtistë sikundër edhe po humbet durimi kohor për mosshtrirjen e emërimeve në instancat lokale të institucioneve. Për shkak të këtij padurimi, perceptimi për ekzistencën e “perandorisë së gabimeve” bëhet edhe më i fryrë dhe i theksueshëm. Për këtë shkak, vetë Kryeministri Rama është nën presionin e fuqishëm të moshumbjes së kohës për të kryer emërimet e pritshme dhe për të bërë të qartë aritmetikën apo ndarjen e hisesë së pushtetit që do ndajë me LSI-në, domethënë zotin Meta dhe me aleatët e papërfillur të tij.

Mirëpo sipas të gjitha shenjave të deritanishme, misioni qeverisës i Kryeministrit Rama nuk ndahet nga gjenerata e re. Kohë më parë kur u shpall kabineti i ri qeveritar që tashmë e kryeson, ne konstatuam se politikani Rama po ia del praktikisht të ndryshojë elitën politike të qeverisjes dhe Partisë që kryeson. Ky konstatim ka të bëjë me një proces tashmë të shpallur dhe të vënë në udhë-kryerje. Në këtë kuptim sipërmarrja qeverisëse e tij bashkëjeton dhe lëviz me ndryshimin e elitës qeverisëse në kabinetin kryeministror dhe në krye të institucioneve më të rëndësishme të vendit. Sipas gjasave kjo risi ka për t’u shtrirë edhe në fusha të tjera të jetës administrative dhe natyrisht pse jo edhe në drejtësi dhe gjyqësor. Por përfshirja e gjeneratës së re është parathënë të pasohet edhe me huazim dhe njëherësh edhe ndryshim të mekanizmit dhe institucioneve kontroll-audituese të shtetit. Në “pamjen nga jashtë” këto nisje të lënë shijen e një kryeqeverisësi që synon të zotërojë perimetrin e plotë të “perandorisë së gabimeve” në të cilën jeton ky vend dhe kjo shoqëri e vogël shqiptare të cilën e ka marrë përsipër ta qeverisë ndryshe apo siç edhe e ka devizën ta “rilindë”. Mirëpo, kaq nuk mjafton. Në brendësi të këtij perimetri, të kësaj “perandorie gabimesh” jeton “shoqëria e pabërë” siç do të thoshte Faik Konica, por edhe fis-kombi që nepotizmin, krahinarizmin dhe prapambetjen orientale e ka kthyer në natyrë dhe pandryshueshmëri socialpolitike. Për këtë shkak Kryeministri Rama, sa i plotfuqishëm në dukje, aq edhe i shumërrethuar nga pakënaqësitë dhe kundërshtarët, madje i rrethuar edhe nga aleati apo ortaku i vet politik, Meta, ka zgjedhur të ngrejë “ushtrinë e gjeneratës së re” në frontin për shembjen e “perandorisë së gabimeve” të trashëguara në këtë vend. Në këtë sipërmarrje të re “ushtribërëse” natyrisht që shumëkush shton pakënaqësinë dhe mëritë e veta, sepse ushtria e hershme gjithherë gjendet mbarsur përballë të rejave. Në logjikën dialektike risitë përfshirëse të gjeneratës së re në qeverisje dhe pushtet, janë krejt normale dhe përkojnë me tendencat dhe nevojat integruese të shoqërisë dhe shtetit. Ato i sjellin energjizëm dhe meritokraci në parim përfaqësimit dhe qeverisjes, por në rastin konkret “gjenerata e re që rekrutohet” po skanohet prej pakënaqësive dhe të pakënaqurve që formësojnë një ushtri të papunë dhe në ardhje nga “reparte” të ndryshme. Verifikimi i kapaciteteve dhe sidomos vlerave meritokratike të tyre është një mundësi paraprake për të mospësuar sfidat e ardhme të qeverisjes rishtare. Nevoja për ruajtjen e bashkësisë unitare politike të së majtës dhe sidomos PS-së, është më eminente se kurrë për Kryeministrin Rama. Në të kundërt, partia e tij, shoqëria dhe vendi i vogël që vijnë nëpër tranzicion si “perandori gabimesh” në vetvete, ndëshkojnë secili më vete, me pamëshirën e “ushtrisë së vjetër” edhe promovimin e “gjeneratës së re”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA