Tentohet rrëmbimi i Holtkemper, vritet truproja

06/10/2013 17:50

Një punonjës i ambasadës gjermane në Jemen është qëlluar për vdekje, raportojnë mediat e huaja.

Sulmi ndodhi jashtë një supermarketi në kryeqytetin e distriktit Hadda, ku gjendet ambasada gjermane dhe disa ambasada të tjera të huaja.

Viktima raportohet të jetë një punonjës i sigurisë, që kishte për detyrë të ruante ambasadoren Carola Mueller-Holtkemper, emri i të cilit ende nuk është publikuar. Zyrtarë të shtetit gjerman kanë deklaruar se janë duke verifikuar raportimet.

Jemeni është duke vuajtur një situatë të përgjithshme jashtë kontrollit ligjor, një kryengritje të një grupi islamik të al-Qaeda-s dhe përçarjet brenda ushtrisë së vendit.

Raportimet fillestare njoftuan se sulmi ishte si pasojë e një tentative të dështuar për të marrë peng ambasadoren e Gjermanisë.

“Ambasadorja ia mbathi, por roja e saj u qëllua për vdekje, teksa po përpiqej t’i rezistonte sulmuesve, që mundën të largoheshin nga vendngjarja”, citohet të ketë thënë një burim diplomatik nga agjencia e lajmeve AFP.

Ministria e Jashtme gjermane ka deklaruar për BBC se ende nuk mund të konfirmojë raportimet e dhëna së fundi.

Gjermania, së bashku me disa shtete të tjera perëndimore, mbylli menjëherë ambasadën e saj në Jemen gjatë muajit gusht, kur Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një sulm madhor të militantëve islamik në Lindjen e Mesme.

Carola Mueller-Holtkemper ka qenë edhe ambasadore e Gjermanië e akredituar në Tiranë, nga ku është larguar vetëm pak muaj më parë, pas mbarimit të mandatit të saj, duke u emëruar si e dërguar e Berlinit në vendin e trazuar të Jemenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA