Forcat speciale të ushtrisë amerikane realizuan dy operacione të njëkohshme në Afrikë, duke vendosur në shënjestër militantët islamikë.
Në Libi, komandot amerikane arritën të kapin një terrorist të akuzuar për sulmin me bombë ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani.
Anas al-Libi u arrit të kapej i gjallë në një banesë në të cilën ai fshihej në Tripoli.
Në operaconin e dytë, ishte lideri i grupimit të Al-Shababit ai që u vendos në shënjestër në Somali, por duket se misioni nuk përfundoi me sukses për arsye ende të paqarta.
Lideri i paidentifikuar i Al-Shabab, një organizatë që kontrollon pjesë të mëdha të territorit somalez e që ka lidhje të ngushta me Al-Kaedën, besohet se ishte ai që urdhëroi sulmin mbi një qendër tregtare në Najrobi, Kenia, ku 67 persona gjetën vdekjen më parë gjatë shtatorit.
Prej vitesh, al-Libi ishte shpallur në kërkim dhe për informacion që do të çonin në verifikimin e vendndodhjes së tij, Uashingtoni kishte ofruar nëj shpërblim prej pesë milionë dollarësh.
Në sulmin mbi dy ambasadat amerikane në vitin 1998, 220 persona gjetën vdekjen, midis tyre edhe shumë punonjës amerikanë të këtyre misioneve diplomatike.
Top Channel