Kongresi amerikan është ende larg marrëveshjes për buxhetin. Edhe pse mbyllja e pjesshme e qeverisë federale hyri në ditën e gjashtë, presidenti Barak Obama dhe republikanët në Kongres kanë vazhduar të shkëmbejnë akuza e të ritheksojnë kërkesat, ndërkohë që zgjidhja për rinisjen e aktivitetit qeveritar duket e largët.
Dy kampet nuk kanë mospajtime vetëm për mënyrat e zgjidhjes se ngercit te buxhetit, por secila palë beson se do të arrijë sukses po iu përmbajt me forcë qëndrimit të vet duke e bërë të pamundur kapërcimin e situatës. Në fjalimin e përjavshëm të së shtunës në radio, Obama kritikoi përsëri republikanët për kushtet e vena miratimit te projekt-ligjit për buxhetin dhe rritjes se tavanit të borxhit: “Nuk do të paguaj shpërblim në shkëmbim për rihapjen e qeverisë. As nuk do të paguaj shpërblim për rritjen e tavanit të borxhit”.
Po nje dite me pare, ligjvënësi republikan Eric Cantor kritikoi kundërshtimin e presidentit për të negociuar duke thene se ky nuk eshte qendrim prej lideri dhe se ishte mungesa e vullnetit per bisedime qe coi ne paralizimin e qeverise. Ajo që e ndërlikon edhe më tej konfliktin është fakti se shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë besojnë me force se qëndrimi i tyre do të triumfojë nëse ruajnë unitetin brenda partisë dhe vazhdojnë rezistencën.
Sondazhet tregojne se amerikanet fajesojne pergjithesisht republikanët për mbylljen e qeverisë, dhe demokratët shpresojnë se acarimi i publikut do ti detyroje republikanët e moderuar të bashkohen me ta për të miratuar një ligj të pastër vetëm për buxhetin.
Top Channel