Ilir Yzeiri – Që në fillim dua të sqaroj se nuk impresionohem aspak nga shfaqjet ndonjëherë folklorike me miq që vijnë përtej detit dhe me mitologjitë që ndërtojmë për ta.
Duke qenë një vend i vogël dhe i pazhvilluar, gjatë historisë sonë, për fat të keq, ne e kemi projektuar të ardhmen, në disa raste, si një kombinim i vullneteve të njerëzve të fuqishëm të planetit, të cilët herë e kishin Shqipërinë në zemër, siç thoshte Musolini, herë kërcënonin se po t’i prekej një fije floku Shqipërisë bota do të hidhej në flakë, siç na pëlqente të besonim se një premtim të tillë e kishte thënë Maoja në kohën kur miqësia shqiptaro-kineze çudiste të madh e të vogël. Pas viteve ’90, natyrisht që politika ka ndryshuar dhe në vend të aleancave ideologjike, në skenë ka dalë realpolitika. Dhe si për paradoks, Shqipëria, vendi që e mallkoi më shumë se cilido tjetër vend Perëndimin, e gjeti zgjidhjen edhe të problemit nacional pikërisht nga Perëndimi. Ndërsa në këta njëzet vjet u pa se armiku më i madh për shqiptarët është qeverisja e tyre. “Politikanët janë si pelenat dhe për këtë arsye duhen ndërruar”, thotë në një film të tijin Robin Uilliams. Unë jam një prej atyre që e kam mbështetur, uruar dhe kërkuar me ngulm ndërrimin e politikanëve. Edi Rama na paraqiti këto ditë Toni Blerin si mentorin e qeverisë së tij, si njeriun që do ta ndihmojë atë dhe qeverinë shqiptare në rrugën e integrimit. Paralelisht me këtë lajm, mediat njoftonin se Dominik Stros Khan, ish-shefi i FMN-së që u vu në qendër të një skandali seksual planetar, është këshilltar financiar i qeverisë së Serbisë dhe atje një grup grash me shami të zeza kanë protestuar ndaj njeriut që krijoi një imazh negativ në sjelljet me gratë. Partia Demokratike bën shumë mirë që është skeptike për çdo nismë të qeverisë. Kjo është detyrë e opozitës. Mirëpo të jesh skeptik dhe të jesh qesharak janë dy gjëra të ndryshme. E para, Partia Demokratike ka një histori të ndyrë me këshilltarët që ka ofruar në kohën e qeverisjes së saj. Në imazhin kolektiv të shqiptarëve ka mbetur ende portreti i Damir Fazlliçit, një njeriu që nuk u mor vesh kurrë se çfarë statusi kishte dhe përse duhet të merrte pjesë në një mbledhje të sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aferat e pista korruptive të Damir Fazlliçit, thirrjet e tij në prokurori dhe shoqërimi në Rinas nga një drejtues kokëqethur i Policisë së Shtetit janë ende në sytë e shqiptarëve dhe një ditë ato do të duhet të zbardhen para publikut. Po ashtu, qeveria që shkoi ka një histori jo të lavdishme edhe me grupin “Podesta” në Amerikë, grup që e përdori jo për të lobuar për Shqipërinë, por për të ruajtur Sali Berishën nga qortimet demokratike të miqve të Shqipërisë dhe për t’i mbyllur gojën ambasadorit amerikan në Tiranë, kur ky i fundit u bë esëll dhe e pa se Berisha nuk ishte një “burrë shteti”, por një kriminel i shtetit të vet. Ndërsa Edi Rama ua paraqiti shqiptarëve Toni Blerin hapur dhe deri tani ne na është thënë se ish-kryeministri britanik, njeriu më i suksesshëm në politikën britanike, do ta ndihmojë qeverinë shqiptare edhe me ndihmën e Bankës Botërore që të gjenden fondet e nevojshme të ndihmës për të vënë në jetë projektet e zhvillimit. Një tjetër aleat, Turqia, po tregohet shumë i afërt me Edi Ramën dhe kjo duhet përshëndetur. Personalisht kam qenë dhe jam kundër përzierjes së Turqisë në historinë e Shqipërisë apo të Kosovës, në korrigjimin e ndjenjave shqiptare për 500 vjetët e robërisë otomane. Ky është një kapitull i mbyllur dhe historia duhet treguar ashtu si çka ka ndodhur, jo ashtu siç do të donim ne të ndodhte. Ndërkaq, partneriteti me Turqinë në rrafshin ekonomik e strategjik është gjëja më e zgjuar dhe më e drejtë që mund të bëhet në këtë situatë. Partia Demokratike po tregohet skeptike dhe bën mirë të shfaqet e tillë, por ajo rrezikon të kthehet në karikaturë të opozitës, sepse harron që e la ekonominë shqiptare me 600 milionë euro borxh ndaj biznesit. Pse nuk del ndonjë përfaqësues i PD-së që ta kundërshtojë këtë shifër? Qeveria e re shqiptare ka premtuar se do t’ia kthejë biznesit këtë shumë dhe do ta çlirojë ekonominë shqiptare nga ky ngërç i frikshëm. Ne që kemi kërkuar ndryshimin e politikanëve, sepse ata ngjajnë me pelenat dhe për arsyen e pelenave duhen ndërruar, kemi dëshirë të besojmë se iniciativat e Edi Ramës për t’u mbështetur te Toni Bler dhe tek ekonomia e fortë turke janë një nisje e mirë. Vetëm kaq. Çdo glorifikim tjetër apo çfarëdolloj folklori tjetër që mund të ndërtohet mbi këtë rast është naiv. Dhe më në fund, ndoshta ne shqiptarët duhet të fillojmë të dërgojmë mesazhe pozitive në Perëndim, sepse atje ende na kujtojnë me filmin e Xhani Amelios “L’America”. Këtë film shfaqi një kanal televiziv italian ditën e zisë, për shkak të tragjedisë së fundit në Lampeduza.
Top Channel