Presidentja e Argjentinës, Cristina de Kirchner do të qëndrojë për të paktën një muaj larg detyrës së saj, pasi mjekët zbuluan një hemoragji në trurin e saj, të lidhur me një aksident të ndodhur në muajin gusht.
Gjatë mungesës së 60-vjeçares, do të jetë zëvendëspresidenti Amado Boudou ai që do të kryejë funksionet e presidentit.
50-vjeçari është njëkohësisht edhe ish-ministri i Ekonomisë.
De Kirchner u përfshi në një aksident në 12 gusht, nga i cili doli pa pasoja, por testet e tanishme tregojnë të kundërtën, se një hematomë ishte formuar në një pjesë të trurit të saj, duke rrezikuar një hemoragji me pasoja shumë më serioze në rast mosndërhyrje.
Kjo nuk është hera e parë që presidentja karizmatike e Argjentinës goditet nga probleme shëndetësore, ndërsa në vitin 2012, ajo iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr një tumor të krijuar në fyt.
Ajo do t’i nënshtrohet tashmë një terapie të re, ndërsa nuk është e qartë nëse ajo do të ketë nevojë për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, për largimin e hemoragjisë.
Top Channel