Natasha Lushaj – Mendo të marrësh përgjegjësinë e drejtimit dhe rimëkëmbjes së një vendi dhe shteti (as një gjysmëterritor i trojeve autentike), për më tepër në buzë të greminës ekonomiko-morale, duke mbajtur përditë parasysh vizionin e shtrirjes së gjenit në truallin dhe historinë iliro-arbre.
Dhe të parëndësosh simbolikisht, por me një lehtësi të çuditshme, formacionet e sotme politike të Ballkanit, si të paqena kurrë, duke rilevuar virtualisht muzeun hartografik të një realiteti historik, të cilin në 200 vitet e fundit Europa ka bërë çmos ta ridefinojë. Një histori e njohur, e pranuar dhe e dokumentuar, mes të ngjashmëve protagonistë të kohës. Pastaj e shpërfillur, e shqyer dhe e hedhur në harresë. Jo vetëm nga shtetarë të huaj. Dhe ti, që përditë duhet të punosh duke i pasur parasysh (më saktë, mbi kokë) këto imazhe të pazakonta, ndërkohë që ke marrë përsipër ta ringresh këtë vend në stadin dhe dinjitetin që meriton.
Paraqitja e këtyre hartave të vjetra, si ekspozitë në Bruksel, fillimisht u shijua me kuriozitetin e një zbulimi ekzotik, me gjithë sharmin e vet estetik. Por efekti simbolik i këtyre imazheve gjatë konferencave kryeministrore, më e pakta, me siguri do të godasë në dy rrafshe: e para, në sytë e shtetarëve shqiptarë që do të punojnë nën hijen e rëndë të kësaj simbolike, si dhe në sytë e të huajve (por edhe kjo është e para!), sa herë që fati i shqiptarëve të vihet në tryezat vendimmarrëse ndërkombëtare. Është perspektivë me vlerën e hipotekimit të një të vërtete të patjetërsueshme, që s’e kemi krijuar ne dhe s’e kemi të drejtën ta injorojmë, e cila ecën paralelisht me shinat ku do të duhet të ecë shteti shqiptar (kjo është e para fare!). Është, më tej, specifikisht akt i mirëfilltë krijues, në konceptin e platformës shtetformuese dhe qeverisëse të “Newgeneration”, siç e quajti Mr. Blair. Simbolika e shenjave ka nisur të formatojë tipin e mesazhit që potencialisht, në shtresat e thella, mbart kodet e fillesës së gjenit kombëtar dhe të histori-shtetit tonë (e kjo është e para e të parave!), interpretim që shkon edhe më përtej artikulimit të ftohtë të dijes për dje, sot dhe nesër. Thonë se afrimi maksimal i mundshëm me njohjen, është dhunti dhe privilegj i artistëve. Njohja nuk ka dje, sot, nesër.
A i përmbush Rilindja e kryesuar nga Edi Rama këto premisa vizionare, duke mbajtur parasysh si pritshmëri kryesore ndaj saj, në plan afatshkurtër e pragmatik, rritjen e mirëqenies dhe mirëndierjes me lirinë të çdo qytetari si individ? E përditshmja e njerëzve e ka bërë ulëritëse nevojën për t’i shpëtuar ankthit ekzistencial migjenian, zhbërjes së personalitetit për hir të bukës së gojës. Por përtej skepticizmit të shëndetshëm të çdo shoqërie moderne, përtej dyshimeve si pasojë e përvojave të hidhura e të përsëritura, qoftë edhe si pjesë e luftës normale apo anormale politike, përtej edhe degradimit të frikshëm të vlerave dhe kriminalizimit thuajse indor të institucioneve të shoqërisë dhe shtetit, madje, edhe përtej skepticizmit për objektivitetin apo subjektivitetin e qëndrimit të ndërkombëtarëve ndaj shqiptarëve, pritshmëria maksimale është që shkolla shqiptare “Newgeneration” të jetë ndjekëse e pasionuar (jo shpikëse) e trasesë së ndërtimit të shtetit ligjor. Provat e dhëna në qeverisjen lokale, shenjat e deritanishme të mbështetjes dhe pritshmërisë shqiptare dhe ndërkombëtare, janë që zbatuesit shqiptarë të parimeve dhe mekanizmave funksionalë të shtetit do të jenë krijues në mënyrë mbresëlënëse. Cila ka qenë mënyra e të menduarit dhe mesazhi që përcjell kjo performancë prezantuese, që dikush e quajti “luftë estetike”?
Duket që ka funksionuar sipas bindjes: para se ta rithemelojmë nga e para demokratizimin dhe modernizimin e shtetit të sotëm, pastaj edhe pranimin në BE, na duhet të ripohojmë apo të rifitojmë konceptin e saktë se ç’peshë ka në këtë proces vlerësimi i historisë së ekzistencës së një vendi nga vetë vendasit. Duhet ta themi se, në këta 23 vjet, ne kemi dështuar t’i thërrasim të vërtetat e historisë në ndihmë të kauzave të sotme. Madje, i kemi fshehur pas kurrizit, si të na vinte turp për veten. Të rifitosh përmasën e së kaluarës, është një nga aktet primare të kompensimit të kohës së humbur, që do të thotë se duhet t’i njohësh triumfin e dështimin dhe t’i pranosh si të tuat. “Të fitojmë kohën e humbur”, ishte parullë me të cilën shqiptarët u nisën drejt Europës në fillim të viteve ’90, jo pak e keqkuptuar, si vënie vize së kaluarës. Ishte një nisje gati instiktive, si thirrje gjaku. Koncepti i filozofëve me emër, që e kishin formuluar si koncept, shihte shumë më përtej thirrjes së vetëdijes individuale apo e instinktit pragmatist shqiptar e, megjithatë, sikur ishte bërë enkas për ne. Me siguri masa e njerëzve, që quhet popull, nuk dinte si shkohet për atje. Por thellë-thellë, ky popull ndihej Atje.
E megjithatë, rifitimi i kohës së humbur nuk është thjesht hedhje e urave me një breg të së kaluarës, drejt vetes apo tjetrit. Nuk është as filozofi atipike shqiptare, as e kohës së sotme. Por në Ballkan urat ngjajnë si paradokse. Ideja e urave është gjë e mirë, por realizimi i tyre, thotë Kadareja, pashmangshëm mbart me vete një enigmë dhe një ogur, të parathënë, shpesh jo të mirë. Nën harkun e urave, nën vërshime të turbullta shtrëngatash dhe mjegulla kohësh, zakonisht përmbyten hapësira dhe kohë, jetë dhe fate njerëzore, të destinuara të flijohen si të paqena kurrë në altarin e bashkëjetesës, në kohëra të tjera. Ndonjëherë rrinë ashtu në errësirë epoka të tëra. Më shpesh, nën tamtame demagogjish e kompromisesh ekzistenciale. Por e mohuara dhe e harruara, sa më thellë të jetë groposur, aq më pashpjegueshëm (prandaj më fuqishëm) e ushtron trysninë mbi relievin e sipërfaqes. E dikur shpërthen. E sigurt është se, nëse ndodh, kthimi i saj është i gjëmshëm dhe mund të gërryejë e përmbysë harqet e urave mbi to. Më e drejtë e largpamëse do të kishte qenë që çdo populli, jo vetëm të mëdhenjve, historia t’i lejonte të shtronte (shkruar, miratuar, sanksionuar) një rrugë për te tjetri, në përmasat reale të trupit dhe shpirtit. Kilometër pas kilometri, pëllëmbë pas pëllëmbe, pa krijuar hone në mes, që më pas do të kërkonin ura dhe fli të tjera.
Tani shtigjet e kalldrëmet mesjetare janë bërë autostrada dhe ne na duhet doemos të bëhemi pjesë e tyre, duke përvijuar, së pari për vete, hartografinë simbolike të vazhdimësisë. Na duhet një “mbikalim” për të hyrë normalisht në autostradën europiane, me sistem sinjalistik të saktë e të gjithënjohur ndërkombëtarisht, që do ta bënte normale vozitjen tonë dhe do të shmangte përsëritjen e devijimeve. Si pjesë e këtij synimi, duket se ka hyrë në projektet e vizionarëve të “Newgeneration” veshja me funksionalitet domethënës i kësaj simbolike hartografike, me tërë misterin dhe magjinë e epokës mesjetare, aq e pasur në dëshmi dokumentare për popujt protagonistë. Por po aq e honshme dhe e panjohur për shqiptarët, që ishin po aq sa të tjerët, në mos në qendër të protagonizmit të kohëve të shkuara. Ndërmjetësit nga Europa, dhe jo vetëm, do ta kenë gjithnjë parasysh këtë dëshmi rëndese dhe vetëdijësimi, si ikonë dhe status përfaqësues i shtetbërjes dhe qeverisjes shqiptare, të tanishme dhe të ardhme.
Besojmë se, nga shqiptarët, më shumë se pretendime e provokime apo projekte e mburrka për sot dhe nesër, ato duhen kuptuar si pasqyra të humbjeve të së shkuarës, të tkurrjeve, thyerjeve dhe dështimeve për shekuj me radhë, për të mos humbur më kohë. Nuk ka korrigjues më të rreptë se historia! Një pasqyrë që ia mban vetes përballë, shumë më e rëndë se gremina financiare apo kalbja e sotme e institucioneve nga korrupsioni, fundja një përgjegjësi katërvjeçare kjo, e marrë përsipër, në provë nëse ia del. Është një raport me shtresën më të thellë të ndërgjegjes personale dhe qytetare. Prania e këtyre imazheve në kryevendin e qeverisjes është një gjetje e padiskutueshme dhe shumënivelëshe, e cila, jo vetëm figurativisht, e ridimensionon përfundimisht nocionin “përgjegjësi shtetërore”, në atë masë që çdo kthim pas nga një tjetër qeverisje politike, në tkurrje a tjetërsim, baras me mohimin e vetvetes, do të jetë krejt i pamundur. Është nga ato gjurmët e pangatërrueshme të Edi Ramës.
Top Channel