Turqi–Britani/ Erdogan pret Starmer në Ankara, nënshkruhet marrëveshja për blerjen e 20 avionëve luftarakë Numri i madh i refugjatëve të mbytur përpara brigjeve të ishullit të Lampeduzës në Itali i tronditi zyrtarët europianë. Reagimet qenë të ashpra, por shumë shpejt pas tyre u rishfaq debati i hershëm mbi trajtimin që u duhet rezervuar klandestinëve.
Duke qenë se gjithsecili prej anëtarëve të bllokut ka politikat e veta për azilin dhe refugjatët, një linjë e përgjithshme europiane për këtë çështje, ende nuk është përvijuar. Shumë nga vendet e Kontinentit të Vjetër përpiqen t’i mbajnë klandestinët sa më larg kufijve të tyre, prandaj shtetet më të prekura si Italia apo Greqia, të konsideruara portat hyrëse në Europë, përballen të vetme me këtë problem madhor. Vendet e bllokut kanë rënë dakord prej vitesh që kërkesën për azil refugjatët ta bëjnë atje ku kanë shkelur për herë të parë tokën e BE-së dhe të tjerët nuk janë të detyruar me ligj të tregojnë solidaritet.
Thirrjet për një politikë të përbashkët europiane vazhdojnë prej kohësh dhe një prej zërave më të fuqishëm në këtë drejtim ka qenë ai i komisioneres për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrom. Ajo këmbëngul që Bashkimi Europian të pranojë më shumë njerëz në nevojë, ndërsa prek edhe një tjetër aspekt jo më pak të rëndësishëm të çështjes: faktin që kontrabanda e njerëzve është një krim i cili u sjell bandave fitime të mëdha e që duhet frenuar me çdo kusht.
Cështja e klandestinëve do të diskutohet javën që vjen në Parlamentin Europian, ku debati nis me pyetjen “si do të veprohet në kushtet e një fluksi masiv njerëzish”, ndërsa shumica e anëtarëve të BE-së e kanë bërë të qartë me kohë se janë kundër pranimit të kontigjenteve të mëdha të refugjatëve.
Top Channel