“Westgate”, publikohen emrat e terroristëve

05/10/2013 00:00

Autoritetet keniane bënë publike emrat e katër prej militanteve të vrarë në qendrën “Westgate” në Nairobi, muajin e kaluar. Emrat e tyre janë: Abu Baara al Sudani, Omar Nabhan, Katab Al Kene dhe Umajër.

Siç tregojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ata u vranë pas ndërhyrjes së ushtrisë. Autoritetet keniane kishin deklaruar më parë se ishin 10 apo 15 militantë të përfshirë, por tani shefi i policisë tha se ishin 4 ose 6.

Në fillim u tha se ishin pesë atentatorë të vrarë, ndërsa 9 të tjerë ishin arrestuar. Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Kenias, major Emanuel Circir konfirmoi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se ata ishin terroristët e vrarë gjatë mësymjes së qendrës tregtare.

Korrespondenti i BBC-së në Nairobi tha se pamjet e kamerave të rrugës tregojnë vetëm një pjesë të ndërtesës, madje disa dëshmitarë folën për një sulm në dy drejtime dhe sipas tij është ende herët për të përcaktuar numrin e saktë të personave të armatosur që mësynë qendrën tregtare.

Grupi Al Shabab, i lidhur me Al Kaedën, mori përsipër sulmin në qendrën “Westgate” më 21 shtator, ku humbën jetën 67 persona ndërsa 39 të tjerë rezultojnë të humbur. Sipas këtij grupi, “sulmi ishte një shpagim për përfshirjen e ushtrisë keniane në operacionet kunder militantëve në Somali”.

Al Shabab është cilësuar si grup terrorist si nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe besohet se ka 7.000-9.000 luftëtarë, të cilët synojnë të krijojnë shtetin islamik në Somali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB