Vrasja e liderit suprem të Iranit, trupi i Ali Khameneit do të varroset në Moshhad, qyteti i tij i lindjes Për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar edhe të shtunën polumbarët nuk kanë arritur të vazhdojnë operacionet për nxjerrjen e trupave të emigrantëve të mbytur ditën e enjte në afërsi të brigjeve të Lampeduzës.
Një anije me rreth pesëqind emigrantë mori zjarr dhe më pas u fundos duke shkaktuar vdekjen e disa qindëra personave, mes të cilëve shumë gra e fëmijë.
U shpëtuan vetëm 155 persona e deri tani janë nxjerrë nga deti 111 trupa, 46 prej të cilëve gra. Në zonën ku ka ndodhur mbytja kërkimet po bëhen vetëm nga ajri me helikopterë e avionë.
Peshkatarët e Lampeduzës, disa prej të cilëve akuzuan vonesa në shpëtimin e anijes, sot në mëngjes hodhën një kurorë lule në det si homazh për viktimat.
Kapitaneria e Portit hedh poshtë akuzat dhe bën të ditur se mjetet e shpëtimit janë nisur brenda shtatë minutash pas dhënies së alarmit.
Në ishullin siçilian vazhdon ethshëm puna për sistemimin e të mbijetuarve, këta të fundit pasi të identifikohen do të jenë nën hetim për emigracion klandestin, shkelje që dënohet me një gjobë deri 5.000 euro. Burime të hetuesisë shpjegojnë se kjo është një proçedurë e detyrueshme sepse parashikohet nga ligji i emigracionit.
Në Lampeduza ka shkuar sot edhe kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini, e cila më parë ka qenë për shumë vjet zedhenese e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.
“Me masa represioni nuk do ta zgjidhim problemin, sepse ështe e pamendueshme që kush largohet nga lufta dhe vdekja, të ndalet përpara akuzës për shkelje”, deklaroi ajo.
Pas tragjedisë së të enjtes kryeministri francez Jean-Marc Ayrault kërkoi një mbledhje urgjente te vendeve europiane për të diskutuar mbi politikat e emigracionit.
Top Channel