Mbi 50 persona janë fajësuar, pas një skandali madhor korrupsioni që goditi rezortin spanjoll të Marbella-s.
Kjo çështje, ku përfshihen ryshfete, mashtrime pronash dhe pastrim parash, rezultoi në dënimin e zyrtarëve të lartë të vendit, ku bën pjesë edhe ish-shefi i planifikimit të qytetit, Juan Antonio Roca, i cili është dënuar me 11 vjet burgim dhe me një gjobë prej 240 milionë euro, për përvetësimin e shumave të mëdha të parave.
Dy nga ish-kryebashkiakët e qytetit bregdetar janë dënuar gjithashtu me burgim për mashtrime, në historinë e zbuluar në vitin 2006.
Marisol Yague dhe Julian Munoz u dënuan respektivisht me 6 vjet dhe 2 vjet burgim.
Një total prej 85 burrash dhe grash janë akuzuar në atë që mendohet të jetë rasti më i madh i korrupsionit politik lokal, në historinë e Spanjës.
Roca, që menaxhonte departamentin e planifikimit të qytetit gjatë viteve ’90, u bë një nga njerëzit më të pasur të Spanjës përpara se të akuzohej si organizatori i korrupsionit. Atij iu dha fillimisht detyra në momentin kur po arrihej kulmi i ndërtimeve në Marbella, pas vdekjes së kryebashkiakut famëkeq, Jesus Gil, i cili ndërroi jetë në 2004-n.
Vendimi u bë i ditur nga një gjykatë në provincën e Malaga-s dhe detajonte një rrjet korrupsioni që përfshinte leje ndërtimore të dhëna vazhdimisht zyrtarëve, në këmbim të zarfeve të mbushura me të holla.
Roca u bë jashtëzakonisht i pasur, teksa në portofolin e tij u përfshinë ferma të vogla, makina luksoze dhe jahte. Dënimi për Roca-n dhe dy ish-kryebashkiakët ishte shumë herë më i ulët nga sa kishin kërkuar prokurorët.
Ata kërkuan 30 vjet burgim për Roca-n, i cili u arrestua në 2006-n, por gjykata mori parasysh edhe pranimin e shkallës së korrupsionit nga vet i pandehuri.
Top Channel