Zamira Cavo – Nuk besoj se fjala “neë” e bën qeverisjen e re të ngjashme
me “neë Labour” e Blerit apo” neë Democrat” të Klintonit. Gjithsesi nuk
mund të mos vësh re dukshëm dëshirën e madhe të z. Rama, për të sjellë
një “frymë” të re të ngjashme me atë të dy liderëve të tjerë botërorë.
Më shumë se kaq, unë e shikoj këtë si një sfidë personale të Ramës për ta vendosur emrin e tij në historinë jo vetëm shqiptare, por ndoshta edhe të së majtës europiane. Por kjo nuk ka aspak rëndësi, madje e shikoj si një premisë të mundshme të mbajtjes së premtimeve me “çdo kusht”. Ndaj kam besuar dhe besoj në një qeverisje ndryshe. Ka shumë pak ditë për të gjykuar hapat e para të qeverisjes së re, por disa shenja janë dukshëm të mira. Le të analizojmë disa prej tyre:
Së pari: Janë emërimet surprizë të z. Rama si në qeveri ashtu dhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Realiteti shqiptar në mentalitetin e vet dhe sigurisht në sjelljet politike, vazhdon të mbetet sikundër e ka përshkruar qartazi Konica:…” E në e bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, do të thonë se pse nuk e bëre me të vogla, dhe nëse e bën më të vogla, do të thonë pse nuk e bëre me të mëdha…” Kështu po ndodh dhe me emërimet e reja. Jam e bindur që ne do të kishim reaguar po kaq keq dhe nëse në qeverisje do të ishte përfshirë Blushi, Angjeli, Majko etj… Është mentaliteti ynë mesjetar që na tërheq zvarrë drejt mospranimit të një realiteti ndryshe. Zgjedhjet e Ramës janë pjesë e sfidës së tij personale dhe unë e gjykoj një shenjë të mirë të qeverisjes së re.
Së dyti: Të rinjtë e emëruar në poste shumë të rëndësishme, madje jetike për vendin, krijojnë përshtypjen e një “talljeje” me qeverisjen, vetëm për faktin se janë të rinj në moshë dhe janë “jashtë profileve” të tyre. Unë besoj te rinia, te fryma e saj dhe idealizmi që kërkojnë të përcjellin. Ndaj e shikoj si një mundësi të shkëlqyer faktin që të rinjtë me ambicie të forta, t’i qëndrojnë në “kokë” punës 20 orë në 24. Askush nga më të “vjetrit” nuk mund ta pretendojë këtë, qoftë dhe për aftësitë e tyre fizike. Të gjithë këta të rinj, unë shpresoj që do të bëjnë gjithçka që ta meritojnë besimin. Është në natyrën e të rinjve ambiciozë të përpiqen për këtë. Kështu ndodh kudo në botë. I vetmi ngurrim që kam është “frika” nga mundësitë e ndikimit të realitetit tonë mesjetar, mbi ta. Këta të rinj, pothuaj janë rritur në demokracinë tonë, e cila fuqizoi edhe më shumë mentalitetin tonë mesjetar. Armiqësia, klanet, dëshira për t’u dukur duke u sjellë si “pardon/ shef i madh”, mungesa e respektit për të aftin, dhe mbi të gjitha dëshira për t’u pasuruar sa më shpejt mundësisht pa punuar, janë karakteristikat që ushqyen brezin e ri gjatë këtyre 20 viteve. Besimi te të rinjtë e së djathtës dikur ishte po kaq i madh. Berisha ia besoi disa sektorë shumë të rëndësishëm pikërisht disa të rinjve të suksesshëm për kohën, Olldashit, Bumçit, Krujës, Bregut, Bogdanit etj., të cilët më kalimin e kohës iu “përshtatën” mjedisit mesjetar shqiptar. Ndaj, më shumë se çështja e të rinjve të shkolluar jashtë apo brenda vendit, ka rëndësi mekanizmi, modeli me të cilën do punohet dhe do kërkohet llogari. Unë i besoj pikërisht këtij modeli.
Së treti: Ndryshimet në administratën publike. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që nuk e di se sa e papërgjegjshme është administrata jonë publike! Shpesh edhe e paaftë, pasi ka funksionuar si strehë e militantëve partiakë. Kjo mendoj se ka qenë një arsye madhore që e ka lënë vendin ende në kohën e psikologjisë: “paratë e shtetit dhe uji i detit nuk mbarojnë, ka për të gjithë”. Ky mentalitet është pothuaj sundues, aktualisht. Nëse ka një dyndje të madhe dhe presione të jashtëzakonshme për të punuar në administratën publike, jam e bindur që arsyeja e parë është pikërisht ky mentalitet. Të tjerat vijnë më pas. Qeverisja e re e ka jo thjesht detyrë, por e gjykoj si nevojë “urgjente” riformatimin e administratës publike me profesionistë të aftë, të cilët duhet t’i nënshtrohen një disipline të rreptë të punës dhe një llogaridhënie permanente. Në zyrat e kësaj administrate, aktualisht mbisundon psikologjia e “vjedhjes”, kumarit”( falë lojërave në kompjuter), pirjes me orë të tëra të kafeve etj., etj. Një Mesjetë e moderuar! Pra reformimi i administratës me një model ndryshe është një shenjë tjetër pozitive që premton.
Së katërti: Marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin vazhdojnë të jenë jo fort të mira, për shkak të mungesës së kulturës që kemi trashëguar. Shqiptarët e konceptuan shpesh demokracinë, si lirinë e më të fortit dhe jo barazinë para ligjit. Ky mentalitet vazhdon të ekzistojë dhe të “fryjë” pakënaqësi primitive që shpesh fshihen dhe nën mantele intelektualësh. Vetëm se shqiptarët janë lodhur me mungesën e shtetit. Sot besoj se e kërkojnë praninë e tij, kudo. Kam parë, e kam dëgjuar fjalë të shkëlqyera për policët e rinj në rrugë. Nuk u dridhet qerpiku kur ndalojnë “të fortët” me xhama të errët e kur i gjobisin dhe kur ata ngrenë celularët për t’u rënë “miqve”. Atë shprehje: ka filluar të vijë era shtet” besoj edhe ti lexues i dashur e ke dëgjuar këto ditë.
Së fundmi: Në 23 vjet qeveritë shqiptare kanë ndryshuar karriget pa e vrarë mendjen të ndryshojnë stilin apo modelin e punës. Gjithçka e “re” konsiderohej ndonjë shkrirje apo bashkim sektorësh! Fakti që qeveria e z. Rama, ka pasur kohë që të ndërtojë strategji konkrete për mundësitë e zhvillimit të sektorëve konkretë ka qenë padyshim një “fat” për ta. Nga hapat e parë që po bëhen qoftë dhe në pastrimin e “plehrave” të dukshme, mendoj se është një shenjë e mirë. Nëse qeveria e re nën presionin e “buxhetit” të shtrënguar do të pranonte realitetin ekzistues, të qofteve, tezgave, erës së vajit të skuqur dhjetëra herë, do të pranonte të shkelte çdo ditë në një baltovinë të kthyer në moçal, sigurisht do të “mësohej” shpejt me to dhe do t’i përshtatej mentalitetit mesjetar “lëri ashtu” se edhe të tjerët kështu i kanë lënë”… Ky është padyshim një fillim premtues që me kaq pak ditë ka ndryshuar diçka thelbësore: perceptimin e të huajve për shqiptarët. Por jo vetëm kjo. Çdo ditë e më shumë shikoj se si shtohet numri i atyre që besojnë në qeverisjen “neë generation”, jo se e kuptojnë se çfarë ka në thelb ky koncept, por sepse kanë parë shenjat e para të një qeverisjeje të mirë. Unë shpresoj dhe uroj …
Top Channel