Vrasja e liderit suprem të Iranit, trupi i Ali Khameneit do të varroset në Moshhad, qyteti i tij i lindjes
Persona të armatosur kanë sulmuar një pikë kontrolli në jug-lindje të Tripolit, në Libi, duke vrarë 15 ushtarë, njoftojnë autoritetet lokale.
Një oficer ushtarak deklaroi se sulmi ndodhi pranë lokalitetit Bani Ualid, dikur një bastion i mbështetësve të ish-liderit libian Muammar Gaddafi. Ushtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ende nuk është e qartë se kush e ka kryer sulmin, por qeveria prej kohësh lufton për vënien nën kontroll të grupeve të armatosura.
Ushtaraku, i cili e përshkroi atentatin si një pritë, deklaroi se ai ndodhi në rrugën mes qyteteve Bani Ualid dhe Tarhouna.
Trupat u gjendën nën breshëri plumbash nga atentatorët që drejtonin makina me armë automatike të montuara, shtoi zyrtari. Autoritetet thonë gjithashtu se katër ushtarë mbetën të plagosur nga të shtënat.
Rruga kryesore për në Bani Ualid ishte e mbyllur në momentin që ndodhi sulmi dhe aktualisht po hetohet për të zbuluar se si hynë agresorët e armatosur.
Bëhet fjalë për vrasjen më të madhe në masë ndaj personelit ushtarak në Libi, të verifikuar që prej luftës civile në vitin 2011.
Gjashtë ushtarë nga një njësi ushtarake elitë u vranë në qershor në qytetin lindor të Bengazit nga persona të armatosur e të maskuar, ndërsa gjashtë të tjerë u vranë në të njëjtin muaj në një postobllok në Sirte.
Mungesa e autoritetit të qeverisë qendrore në disa zona të Libisë ka krijuar hapësira për grupe të armatosura të lidhura me klane dhe grupe militantësh islamikë, deklarojnë analistët.
Shumica e akteve të dhunës të verifikuara së fundmi i është atribuar grupeve që dolën nga njësitë e rebelëve që rrëzuan kolonelin Gaddafi nga pushteti dy vjet më parë.
Top Channel