Kerry: SHBA nuk e zbehin rolin global

05/10/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke folur në çeljen e samitit të APEC-ut, në Indonezi, tha se angazhimi amerikan në Azi mbetet i pacënuar, pavarësisht mungesës së presidentit Barack Obama në takimet rajonale.

Ndërsa udhëheqësit botërorë u mblodhën në samitin për Bashkëpunimin Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit, Kerry u përpoq të zvogëlonte shqetësimet se Uashingtoni po redukton angazhimin e tij global.

“Asgjë prej atyre që po ndodhin në Uashington nuk e zbeh për asnjë gërmë angazhimin për patnerët tanë në Azi”, deklaroi Kerry. Ai tha se përplasja me republikanët në Kongresin amerikan është “shembulli i vrazhdësisë së demokracisë”.

Në të njëjtën kohë ai i kërkoi Kongresit të mendojë mirë. Kerry shpjegoi se sferat e prekura nga mbyllja e pjesshme e qeverisë janë: Vonesa në ndihmën për sigurinë e Izraelit dhe pezullimi thuajse i të gjithë stafit në zyrën e kontrolleve të aseteve, që monitoron sanksionet e Iranit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë anulloi udhëtimin në Azi që do të niste të shtunën duke ndaluar në Indonezi dhe Brunei, ndërsa më pas do të ndalonte në Malajzi dhe Filipine, pas mbylljes së pjesshme të qeverisë.

Të martën qeveria amerikane mbylli operacionet jo-thelbësore pasi Kongresi nuk arriti të miratonte buxhetin e ri. Mijëra nëpunës federalë u detyruan të lënë punën.

Disa po punojnë, por pa u paguar. Negociatat për tregtinë mes Shteteve te Bashkuara dhe Bashkimit Europian u shtynë si pasojë e mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane. Të premten, demokratët e republikanët sërish ishin larg gjetjes së një shtegu për të kaluar bllokimin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner këmbënguli se presidenti dhe udhëheqësit e Senatit duhet të ulen e të bisedojnë për bllokimin. Barack Obama u shpreh i lumtur për të zhvilluar bisedimet, por theksoi se: “s’mund ta bëjmë këtë me një armë në kokën e popullit amerikan”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB