Januzaj, ngërç rinovimi pas largimit të Ferguson

05/10/2013 03:40

Negociatat për kontratën e re të talentit të ri të Manchester United, Adnan Januzaj, ngecën me largimin e Sir Alex Ferguson si trajner i “djajve” verën e kaluar, ka bërë të ditur agjenti i tij.

“Sportsmail” zbuloi në shtator se ngërçi mes klubit dhe lojtarit ka pasur zhvillime së fundi, për shkak se klube të tjera të mëdha kanë hedhur vështrimin drejt adoleshentit, të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit, ndaj dhe bisedimet kanë rinisur.

Dirk de Vriese, agjent i 18-vjeçarit me pasaportë belge, ka thënë se një numër ekipesh të mëdha europiane synojnë t’i rrëmbejnë Januzajn klubit anglez.

Edhe pse ai refuzoi të japë emra konkretë të klubeve, që po konsiderojnë ofertat për të, “Sportsmail” bën të ditur se Juventus dhe Manchester City janë mes më të interesuarve, ndërkohë që Bayern Munich dhe Barcelona po monitorojnë situatën.

Ndërkohë që negociatat po vazhdojnë tek United, talenti me origjinë kosovare po përballet me një situatë, në të cilën ai duhet të marrë një vendim, që do t’i përcaktojë të ardhmen e karrierës së tij.

“Nuk do të tregoj se cilat ekipe janë të interesuara për të, por mund të them se ka interes të madh nga disa ekipe europiane”, citohet të ketë thënë De Vriese, në një intervistë për “Voetbal Nieës”. “Largimi i Sir Alex Ferguson bëri që të kishte një ngërç te negociatat, por tashmë jemi rikthyer në bisedime dhe do të shohim se çdo të ndodhë. Familja e Adnanit më ka dhënë leje të komunikoj, pasi duke qenë vetëm unë i përfshirë në këtë çështje nuk do të kishte keqkuptime në media”.

Januzaj është aktualisht një nga të rinjtë premtues që fiton më shumë në “Old Trafford” dhe United nuk do të dëshironte të përsëritej e njëjta situatë si me talentët Pogba dhe Fryers, të cilët u larguan për te Juventus dhe Tottenham.

Javën e kaluar, trajneri David Moyes tha: “Ne jemi duke menduar gjatë për Adnanin. Ai është një lojtar i Manchester United dhe jam i sigurt se do të qëndrojë. Ai e dëshiron vet këtë gjë”.

Eksizton gjithashtu edhe një çështje tjetër për të ardhmen e Januzajt, sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar, pasi lojtari është i disponueshëm të luajë për 4 ekipe kombëtare. Ai është lindur në Belgjikë nga prindër kosovarë, ndërkohë që trashëgimia e tij e lejon të luajë edhe për Turqinë apo Serbinë.

Nga sa është kuptuar, Januzaj ka refuzuar vazhdimisht grumbullimet me ekipet e moshave të Belgjikës, pasi familja dhe shoqëria e tij kërkojnë me çdo kusht që ai të përfaqësojë ngjyrat kuqezi të Shqipërisë.

Së shpejti, ai do të jetë i detyruar të zgjedhë mes ndjekjes së dëshirës së familjes së tij, për Shqipërinë, apo të shohë mundësitë për të luajtur në një kompeticion madhor, si kampionati Europian apo Botëror, me Belgjikën.

Top Channel