Franca dhe Italia kundër Amazon

05/10/2013 00:00

Autoritetet në Francë kanë dalë kundër gjigandit të shitjeve të librave online, Amazon, që ofron shërbime falas në shtetet ku vepron.

Deputetët francezë i kanë thënë “po” një nisme të ministres së Kulturës, që u ndalon operatorëve online të bëjnë dorëzimet e librave falas në shtëpitë e klientëve të tyre.

Ministrja Aurelie Filippetti ka akuzuar hapur kompaninë e Jeff Bezos se po aplikon një konkurrencë të pandershme, pasi në këtë mënyrë nxjerr libraritë jashtë tregut.

Nisma e Parisit zyrtar është mirëpritur edhe nga shoqatat italiane të lirbrarive. Alberto Galla, president i Shoqatës së Librashitësve Italianë, ka vlerësuar ndërhyrjen e ministres franceze për të mbrojtur libraritë e pavarura.

“Më duket si një muzikë për veshët e mi lajmi që një ministre Kulture ka ndërhyrë në mbrojtje të librarive të pavarura”, ka deklaruar Galla.

Falë përmasave të saj botërore, Amazon është në gjendje të ofrojë çmime aq të ulëta me të cilat shitësit e tjerë nuk konkurrojnë dot.

“Pavarësisht kësaj, Amazon nuk ofron garanci se kostoja për klientët do të mbetet e ulët. Sapo të ketë nxjerrë jashtë loje konkurrentët dhe të jetë bërë monopolist, grupi i Bezos mund të nisë e të aplikojë çmime më të larta”, ka nënvizuar Galla.

Por kundër opsionit francez ka dalë presidenti i Federatës së Konsumatorëve në Itali, i cili thotë se klientëve të operatorit nuk mund t’u hiqet një mundësi kursimi.

“Megjithatë, e kuptoj rëndësinë e librarive, pasi janë vende jetike për marrjen dhe shkëmbimin e kulturës. Prandaj mendoj se duhet të ndihmohen në një formë tjetër. Për shembull, përmes lehtësimit të qerave”, ka thënë Rosario Trefiletti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB