Arben Manaj – As prania fizike e Blerit në Tiranë nuk mundi të heqë dot
vellon e misterit të konsulencës së tij vullnetare për reformat e
qeverisë së re shqiptare.
Pikërisht, joortodoksizmi i praktikës dhe rutinës së tij në karrierën postkryeministrore dhe shumat e raportuara në shtypin britanik, që ai fiton, bëjnë që të rritet skepticizmi ndaj Blerit dhe arsyeve përse ai vendos të harxhojë kohë dhe energji jo të pakta, për të ndihmuar një vend të varfër dhe një popull që e lidh një e shkuar jo e largët në mënyrë specifike.
Toni Bler, ish-kryeministri i vendit tim të adoptuar dhe Rama kryeministri i vendit tim natyral, kanë vendosur një raport disi të çuditshëm në publik, raport që Rama dhe partia e tij nuk e ka, as me ish-pasuesin e Blerit, Gordën Braunin, e as me pasuesin e Braunit, liderin aktual të opozitës e kryeministrin potencial të Britanisë, Ed Miliband, apo Partinë e tij Laburiste, çka shihet në protokollin zyrtar.
Bëhet fjalë për një raport, që pavarësisht nga përpjekjet masive për ta paraqitur ndryshe, në botën reale ku jetojmë, nuk ka sesi të mos jetë, si çdo marrëdhënie tjetër; një marrëdhënie interesi, dhe për të qenë korrekt politikisht, nuk po sugjeroj interesin material.
Nuk është faji i skeptikëve, nëse Bleri sillet ndryshe me Shqipërinë dhe parametra të tjerë aplikon me Kazakistanin, Kolumbinë, Brazilin dhe Mongolinë, me të cilat, siç shkruan shtypi britanik, ai “ka zbuluar ar”.
Nuk është faji i skeptikëve, nëse flitet njëherë për kontratë përpara marrjes zyrtarisht të pushtetit mes Ramës dhe Blerit, e më pas flitet për vullnetarizëm, që edhe rasti e Artan Lames tregoi se “nuk del pa gjë.”
Personalisht, si parantezë, adhurimi im për Toni Blerin mbetet në kuotat më të larta të mundshme njerëzore, për atë që ai ka bërë për Britaninë gjatë qeverisjes së tij, frymës politike dhe ideologjike, dhe imazhin që i dha vendit, argumentueshëm si një nga vlerat më të mëdha që ka prodhuar ishulli, pas Çurçillit, Theçerit e ndonjë tjetri.
Shto këtu edhe mirënjohjen që çdo shqiptar do duhet të ketë për të, për ndihmesën dhe përkushtimin e tij absolut, bashkë me Klintonin për çështjen e Kosovës, nuk lë vend për asnjë keqkuptim.
Por kjo nuk do të thotë që respekti dhe dashuria që ke pasur për të, kur ka drejtuar vendin dhe çfarë ka bërë, të mos jetë e kushtëzuar, aq më tepër, kur ai falë zotësisë padyshim, karizmës, dhe akseseve të padiskutueshme, shndërrohet brenda pak vitesh në milionerë, dhe papritur bën bamirësin po në të njëjtin kurs dhe karrierë fitimprurëse.
Nuk është se është e panjohur dhe e pazakontë për këtë kategori, apo dhe besimin e tij fetar si katolik që është, por filantropia ekskluzive shqiptare, është po aq e pazakontë për të, siç atë e njohin.
Bëhet fjalë për një politikan që shtypi anglez raporton se harxhon 7 mijë sterlina për një orë fluturimi me avion privat dhe paguan 30 milionë faturat për këtë avion.
Padyshim, çdo dyshim dhe skepticizëm apo edhe cinizëm ndaj filantropizmit shqiptar të Blerit, parimisht do duhet të merret vesh jo shumë larg në kohë, siç janë marr vesh çdo kontratë e tij konsulencë, qoftë edhe kur të deklarojë taksat apo edhe kur të justifikojë çdo veprimtari bamirësie apo shpenzimet zbritëse në këto aktivitete.
Dhe shumë mirë, mund të rezultojë se ai vërtet nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, pasi nuk besoj se ka aq buxhet Partia e Ramës sa të paguajë Blerin.
Por normalisht që kryeministri Rama do të duhet të garantojë shqiptarët, që nuk ka asnjë kontratë financiare mes tij dhe qeverisë së tij dhe Blerit, përpara ose pas marrjes së detyrës si kryeministër.
Mbi të gjitha, do të duhet të garantojë shqiptarët, që Bleri nuk do favorizohet në aksese të pandershme në biznese dhe tenderë për ndonjë mik të tij në projekte shqiptare, duke diskriminuar të tjerët, siç ka ndodhur me Berishën.
Në fund të fundit, këtë presin shqiptarët, që ai të bëjë ndryshe nga Berisha, që favorizonte Tom Rixhin apo Fazlliçin, edhe pse sidomos me këtë të fundit, kam neveri dhe ndiej se i bëj padrejtësi Blerit kur tentoj ta krahasoj apo kontekstualizoj me të.
Cinizmi i skeptikëve nuk është as shenjë e kuriozitetit njerëzor, sesa një nevojë për një transparencë më të madhe, dhe garanci institucionale, krahasuar me atë sesa u është ofruar shqiptarëve ndër vite, nga eksperienca të ngjashme konsulencash çuditërisht, për hir të së vërtetës jo dhe aq diskrete në shifra, sesa në metodologji.
Gjithsesi vizita e Blerit në Tiranë, sipas interesave dhe këndvështrimeve, nxori ose jo të vërtetën e paragjykuar të vullnetarizmit dhe filantropisë së tij ndaj Shqipërisë, por ajo përfundimisht arriti të zbulojë kompleksin dhe stadin e paevoluar politik të politikanëve shqiptarë, që ende rendin pas imazhit dhe PR-it, që më shumë irriton dhe ofendon shqiptarët, sesa realisht i bën punë dhe i ka bërë punë qeverive shqiptare.
Pa mëdyshje, Toni Bler, nuk është ulur në asnjë mbledhje të qeverisë së Brazilit, në rolin e këshilltarit, as atë të Kazakistanit apo edhe Mongolisë. Ne ramë më poshtë tyre.
Dhe ky është një problem jo i vogël i qeverisë së re, që duket është e obsesuar me imazhin, që përgjithësisht është produktiv vetëm në plan afatshkurtër, si çdo mirazh klasik.
Nga tërë Bleromania e shfaqur në Tiranë, kam shqetësimin se problemi me personalitetet politike dhe tërë situatat tërë xixa dhe vezullues, mbetet i njëjti me atë të çdo vere spumante, që po t’ia heqësh tapën për një kohë të gjatë, i humbet shija dhe gazi.
Top Channel