Aleksander Cipa – Një qeveri e re, së pari krijon mjedisin e paqtë dhe e “ishullon” çdo tendencë të opozitës për konflikt
Kjo sentencë vlen për politikën konstruktive që gjenerojnë partitë politike majtas e djathtas në vendet e standardit dhe të demokracisë funksionale. Një sjellje e tillë që përkon me ndërgjegjen e përgjegjshmërisë që klasa politike e vendit, ka për fatet e vendit, por sidomos për mirëqeverisjen e shoqërisë dhe shtetit, duket se është larg së qeni e tillë, për kastën tonë politike.
Pa u mbushur muaji i parë i një qeverie të re, pa u nisur ende puna në Parlamentin e ri, opozita e quajtur e djathtë, shpalli bojkotin. Braktisi sallën e Parlamentit, duke parathënë me padurim hyrjen në një kapitull të ri të sjelljes dhe veprimit politik të saj. Partia Demokratike e ikur nga qeverisja tetëvjeçare me një votë popullore po zë vend me ngut, te llogorja e konfliktit politik. Në dukje është motiv dhe arsye kryeministri i ri Edi Rama. Shkas është shmangia kohore e ligjit për administratën publike. Opozita me dy prijës, njeri zyrtar dhe tjetri “hierark i paikur”, po ngutet të vijojë një histori të vjetër politike të opozitarizmit të vet. Po ngjet një tërheqje e re zvarrë e opozitës politike prej ish-kryeministrit dhe kryetarit historik të saj, zotit Sali Berisha. Në këtë mënyrë, duke u kapur pas një shkasi dhe duke demagogjizuar një problem të ndjeshëm dhe natyrisht edhe me ndikim në cilësinë dhe përfaqësimin e ri të radhëve të administratës publike, PD e zotit Basha po përdoret kryekëput si PD e “të pashpronësuarit” Berisha. Kjo është një çështje shumë serioze, jo për PD-në, jo për opozitën zyrtare të vendit, por në mënyrën më kuptimplote, për krejt shoqërinë shqiptare.
Në këtë moment të ri fatkeqësish nuk kemi asgjë prej promocioni politik. Promocioni do të duhej së pari në një kohë logjike të lidhej me qeverisjen dhe qeverinë e re të vendit. Është një pritje mbarëpopullore për ndryshim dhe cilësi të re qeverisjeje. Shumëkush e pranon që vendi nuk po “lundron” në ditë të një gjendjeje normale ekonomike, shoqërore dhe financiare. Jo.
Është pranuar se kemi mbërritur, sikundër fqinjët tanë, në zgripin financiar dhe ekonomik të krizës që zgjat shumë. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe sidomos qeveria e saj nuk ka asnjë mundësi komforti dhe komoditeti të bëjë lojëra dhe sidomos të vrasë kohën për parfumime dhe estetikë institucionesh me kosto financiare dhe kohëngrënie. Ngutja që ka gjithë elektorati shqiptar lidhet me tri nevoja kapitale: punësim, drejtësi-antikorrupsion dhe siguri financiare dhe ekonomike. Këtu duhet nisur dhe prej këtu nis çdo përmbajtje lindjeje e jo më “rilindja” e premtuar. Për këtë, është mandatuar koalicioni Rama-Meta dhe për këtë premtim, syçeltësia e shoqërisë ndaj qeverisë “Rama” është më e larta se edhe në vitet e fundit të qeverisë së dikurshme të Adil Çarçanit që kishte lidhje me shembjen e regjimit komunist. Ky nuk është thjesht perceptim, por është një moment shpresëdhënës për të mos u gremisur në depresion shoqëror dhe recesion ekonomiko-financiar. Sa herë kryeministri Rama e pohon dhe ripohon gjendjen e “buxhetit bosh”, në pëshpëritjen publike risillet dhe ripërmendet pasinqeriteti i qeverisësit jetëgjatë Sali Berisha dhe natyrisht shumëfishohet ankthi për rrugëdaljen e afërt dhe sa më shpejt në kohë. Në të kundërt, shumëkush ka drojën dhe ankthin për rikthimin e vendit në qorrsokakët e krizës dhe të konfliktit politik, për të cilin dhe në të cilin politikani i zbritur në deputet Berisha, kërkon hisenë e fundit të jetëgjatësisë së mbyllur politike. Mirëpo ky nuk duhet dhe s’ka për të qenë kurrsesi variant i mbështetjes për opozitën e vendit. Ngutja e “doktorit” që ka humbur profesionin në PD, le të përdoret si maturi për opozitën e re, jo vetëm PD! Kjo nuk ka peshën dhe vlerën e karshillëkut ndaj testamentuesit politik, por vlen për të fituar kohën në kërkim të triumfit të ardhëm për qeverisje.
Kryeministri Rama është në kohën e vet të prologut qeverisës. Opozita gjithashtu në procesin natyral të saj për kontestim dhe refuzim. Në një pjesë të mirë të arsyetimit për konsensusin e dikurshëm, ajo është me të drejtën dhe me misionin mbrojtës të së drejtës, mirëpo konsensusi i dikurshëm, nuk mund të mbrohet si besëdhënie e përhershme në duart e zotit Berisha. Kjo është një ngatërresë që i shkakton kosto opozitës për besueshmërinë publike ndaj kauzës dhe kauzave të saj. Përcjellja e ankesës së opozitës te Gjykata Kushtetuese është më e vlefshme se gjithë tonet kërcënuese me “thika e minime” që duket sikur zoti Basha si rishtar, ia huazon apo merr vjetërisht, paraardhësit Berisha.
Natyrisht në orë dhe kohë prove në këtë vend, tashmë është qeveria. Pritshmërisë së lartë publike, qeveria “Rama” po i shton edhe më skepticizmin e publikut. Më së shumti ngjet kjo për shkak të emërimeve në postet e larta të administratës publike të një gjenerate drejtuesish të rinj, (disa prej të cilëve e nisin marrëdhënien me punën për herë të parë). Ky skepticizëm po bëhet edhe më i lartë, ndërsa po shihet qartazi se në strategjinë e kryeministrit Rama nga një diskriminim gjinor po kalohet në një praktikë të tejkalimit gjinor. Vetë kryeministri Rama po udhëton në ditët e para të qeverisjes drejt një pozicioni mes shumë zjarresh. Heshtja e Grupit Parlamentar të Partisë së tij Socialiste është një “heshtje në vlim”. Një “vlim” jo vetëm nga zjarri i pakënaqësisë së papërfshirjeve në qeveri apo në “hise”, por nga protagonizmi vetëvendosës dhe sidomos i dhurimit brenda ortakërisë qeverisëse. Në të gjitha mjediset ku diskutohet dhe analizohet shpërndarja e pushtetit brenda së majtës, kryeçështje është disproporcioni i përfaqësimit në qeverisje mes PS-së dhe LSI-së. Po shumëfishohet perceptimi se tendenca e zotit Rama për t’i dhuruar LSI-së, shumë herë më tepër se sa PD-ja në katër vjetët e shkuar, është e pafrenueshme, flagrante dhe me pasoja reagimesh në nivelet bazë të partisë së tij. Në këtë rrjedhë po rrezikohen balancat e vetes dhe po bëhet edhe më delikat mirëkuptimi mes grupeve dhe targeteve të interesit politik dhe qeverisës. Një qeveri që po zhytet në “gropën e madhe” të qeverisjes me kurajën dhe pretendimin e të qenët “palombarë”, por që në brigjet e liqenit sodisin edhe kundërshtarët, edhe militantët e saj. Të dy grupet kanë të përbashkët njëri pakënaqësinë, tjetri patologjinë dhe kundërshtinë politike. Ndarja mes tyre, bëhet në çastin kur “palombari” del me suksesin në dorë nga zhytja. Qeveria “Rama” këtë ka premtuar, në të kundërt, në “brigjet e pritjes” ushtria e të pakënaqurve është më e vogël kur zhytet se sa pasi del prej saj. Aq më keq dhe fatkeqësisht, kur palombari dështon!
Në ditët e para të qeverisjes, zoti Rama është si çdo qeverisës i ri, në kohën e legjitimitetit të vet. Si i tillë, shumëkush ka detyrimin dhe përgjegjësinë për maturinë e pritjes. Opozita dhe vetëm ajo nuk mund të heshtë e të pranojë pa zhurmë. Por në këtë kapitull dhe në kaq pak kohë, nëse opozita përdor bojkotin, atëherë tejkalon jo vetëm të drejtën, por dramatikisht ndëshkon veten më shumë se kundërshtarin.
Top Channel