Qeveria federale mund të mos goditet me një një tjetër ngjarje të padëshirueshme, pas mbylljes aktuale të disa aktiviteteve, pasi kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, i tha një grupi ligjvënësish republikanë se ai nuk dëshiron të lejojë vendin të falimentojë për shkak të borxheve.
Boehner tha se do ta linte mënjanë “rregullin Hastert”, i cili nënkupton se republikanët do të merrnin masa për të votuar vetëm nëse do të mbështeteshin në mazhorancë nga grupi i tyre parlamentar, dhe do të mbështeste demokratët për të kaluar çështjen e rritjes së tavanit të borxhit, tha një anëtar i Dhomës, i cili mori pjesë në një takim të së mërkurës, që përfshinte edhe Boehner, por që donte të ruante kushtet e anonimitetit, pasi informacioni është ende privat.
Republikanët në Kongres mbeten të përçarë në lidhje me strukturimin e ligjeve për rritjen e kufirit të borxhit qeveritar. Ndërkohë, një ndihmës i kreut të Dhomës nënvlerësoi këtë zhvillim, duke thënë se “Boehner ka thënë gjithmonë se Shtetet e Bashkuara nuk do të shpallin falimentin për shkak borxhesh, kështu që ky nuk përbën një lajm”.
Megjithatë, të paktën 1 demokrat, senatori i New York-ut Charles Schumer, vlerësoi perspektivën e kreut të republikanëve për të refuzuar bllokadën e të paktën kësaj çështjeje, të cilën presidenti Barack Obama dhe demokratët e tij e mbështesin fuqishëm.
“Kjo mund të jetë fillimi i një kthese domethënëse”, tha Schumer në një deklaratë. “Edhe vënia e situatës në prag të falimentit është shumë e rrezikshme, ndaj përparimi domethënës në këtë çështje përpara datës së falimentit do t’i lejonte kujtdo në Amerikë të merrte frymë lirshëm”.
Zotimi i republikanit të Ohio-s vjen ekzaktësisht 2 javë përpara se qeveria të arrijë limitin e fundit të shpenzimeve për borxhet, duke mos mbuluar detyrimet prej afro 16,7 trilion dollarë, për sa kohë që Kongresi nuk ka arritur një marrëveshje për të rritur tavanin e borxhit. Deri më tani ka qenë një rutinë e gjatë në Washington për këtë marrëveshje, pasi republikanët nuk donin të lejonin marrjen e borxheve të tjera pa arritur shkurtime drastike të shpenzimeve.
Boehner, nga ana e tij, shkroi më herët gjatë kësaj jave në “USA Today”, se “nuk ka asnjë mundësi që Kongresi të mund, apo të kalojë me detyrim, rritjen e tavanit të borxhit, pa shkurtim shpenzimesh dhe pa një reformë për përballimin e borxhit dhe defiçitit, si dhe rikthimin e ekonomisë në një gjendje stabile sërish”.
Ai akuzoi presidentin Barack Obama se kishte refuzuar të negocionte, ndërkohë që ky i fundit dhe liderët e tjerë demokratë kanë thënë vazhdimisht se janë të gatshëm për bisedime për çështjet e buxhetit, por vetëm pasi qeveria të rihapet.
Top Channel