Me një blic të vërtetë, autoritetet amerikane kanë mbyllur Silk Road, faqja e internetit e konsideruar ebay i drogave ilegale, si dhe kanë arrestuar themeluesin e saj Ross William Ulbricht.

Ndaj drejtuesit të faqes së internetit rëndojnë akuza të rënda, mes të cilave trafik narkotikësh si: heroinë, kokainë dhe marijuanë; si dhe pastrim parash të pista.

Lajmin për operacionin e papreçedentë e dha vetë FBI, që prej muajsh po kryen një ofensivë kundër faqeve të internetit që veprojnë në hije dhe shesin substanca dhe shërbime të ndaluara, përfshirë pedopornografinë.

Në rastin e Silk Road bëhet fjalë për një treg konkret të zi droge, tek i cili mund të blihet duke ruajtur anonimatin, falë programit Tor që funksionon si një rrjet paralel, tërësisht anonim dhe i pagjurmueshëm.

Jo rastësisht është i njëjti program i përdorur në mbarë botën nga aktivistë të ndryshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që mund të çojnë përpara betejat e tyre në web pa u identifikuar.

Ulbricht, i arrestuar nga agjentët federalë në Kaliforni, në ambjentet e një biblioteke publike në San Francisco, kishte krijuar një perandori të vërtetë me një xhiro që shkonte deri në 2 milionë dollarë në vit.

Top Channel