
Shqiptarët zënë vendin e dytë në rajon për jetëgjatësinë pas grekeve! Treguesi ka ardhur vazhdimisht në rritje. Parashikimi i Bankës Botërore tregon se një mashkull shqiptar i sapolindur ka përparësi të jetojë 74 nga 69 vjet që ka qenë në vitin 91.
Ndërsa mesatarja e femrave parashikohet 80 vjet nga 75 që ka qenë në 91-shin. Në vendin tonë, në vitin 2009 popullsia e grupmoshave 60 vjeç e lart përbënte 12.9% të popullsisë, përkundrejt 9% që ishin në vitin 2007 apo 3% në vitin 1990.
Moshimi është një fenomen global. Popullsia e moshuar në botë, 60 vjeç e lart, është duke u rritur me shpejtësi. Në vitin 2050, rreth 80% e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara.
Japonia ka jetëgjatësinë më të lartë në botë, 82.2 vjet, në disa vende si Afrika kjo shifër është 40 vjet më e ulët.
Kërkime shkencore të kryera nga Universitetet më prestigjoze amerikane kanë gjetur disa nga komponentët që ndikojnë drejtpërdrejtë në plakje. Kështu, ne mund të ndërhyjmë për të paktën në njërin nga komponentët që “rregullojnë” plakjen: mënyrën se si ne jetojmë.
Eleminimi i pirjes së duhanit, ushtrimi i rregullt, mbajtja e një diete mesdhetare, ruajtja e një peshe normale, reduktimi i proteinave të kafshëve, kryerja e aktivitetit fizik janë zgjedhje të thjeshta dhe që kushtojnë pak për individin dhe pothuajse asgjë për komunitetin. Për më tepër, nëse i shtojmë edhe aktivitetin e trajnimit të trurit dhe shoqërizimin, përqindja e rritjes do të ngrihet në mënyrë të konsiderueshme.
E gjithë kjo është baza e recetës e cila garanton jo vetëm më shumë vite jetë, por më shumë jetë viteve. Sepse sot nuk është e rëndësishme vetëm jetëgjatësia, por jetëgjatësia e shëndetshme!!!
Pjetër Shkoza, 103-vjeçari që sfidon moshën
Vetëm prej saktësisë me të cilën i rrëfen ngjarjet dhe detajet që jep e kupton se ky zotëri është aq i vjetër sa tregon certifiakata e tij e lindjes. Energjia dhe kthjelltësia në bisedë bën t’i japësh të paktën një dhjetëvjeçar më pak.
Pjetër Shkoza la pas 103 vite në daten 12 të muajit prill. Pas gjithë peripecive që ka kaluar në jetë e arratisjen nga Shqipëria, nuk e mendonte kurrë se do të kishte jetuar kaq gjatë e të shihte kaq shumë.
“Shpresa dhe dashuria e mban gjallë njeriun”, thotë Pjetri.
Kur u largua në vitin 1951 ishte 41 vjeç, kur u rikthye nga Amerika ishte 81. Prej atëherë ka jetuar në këtë shtëpi buzë rrugës në qytetin e Laçit, me djalin e vetëm Lekën e familjen e tij me nipër e stërnipër. “Kam patur një jetë të uruar pavarësisht gjithçkaje dhe kam mësuar të vlerësoj atë që kam. Njerëzit që vlerësojnë jetën, nuk vlerësojnë pasurinë. Lum ai që nxjerr mjaltë nga goja dhe jo zeher”, thotë ai.
Ka punuar gjithmonë dhe është mësuar të zgjohet shumë herët. Ka kënaqësi të shëtisë mes frutave e të vërejë nëse kanë nevojë për ndonjë shërbim. Është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike e nuk lë edicion informativ pa ndjekur. Pasditet i kalon gjithmonë në kolltukun e tij duke dëgjuar muzikën që ka më përzemër.
Kur e pyet se cili është sekreti i jetëgjatësisë së tij, ai thotë se ushqimi është i rëndësishëm: “Kam ngrënë shumë bulmet dhe pak mish. Bulmeti dhe frutat janë të mira për njeriun.”
Prej vitesh ndjek një dietë të caktuar. Mëngjesi kafe ekspres me qumësht. Gjatë ditës konsumon një gotë verë dhe frut të preferuar ka bananen.
Zonjat shekullore tregojnë sekretin e jetëgjatësisë së tyre
Ato janë dy zonja shekullore, me trup të imët, të veshura me të zeza dhe flokë të bardha. Kanë jetuar shumë dhe të shumta janë edhe disfatat që kanë kaluar në jetën e tyre të gjatë. Por, forcën për të vazhduar e kanë rigjetur tek pasardhësit e tyre.
Sofije Maluka ka lindur në të njëjtin vit me shtetin shqiptar. 101-vjeçarja sot jeton me familjen e djalit të saj Berti, në qytetin e Laçit. Zonjusha përmetare që u bë nusja e beut të Ersekës fare e re, ka shumë për të treguar. Me nostalgji ndan me të gjithë mysafirët historinë kur ka qenë e ftuar në dasmën e mbretit Zog.
Prej asaj kohe shumë ujë ka rrjedhur, por disa zakone nuk i ka ndryshuar prej rinisë. Kafenë dëshiron ta përgatisë vetë e më pas të lexojë gazetën. Sofija ka qenë rrobaqepëse dhe sot me shumë vështirësi po punon një palë çorape për nipin e saj. Deri pak muaj më parë bënte edhe ndonjë punë shtëpie si për të treguar se fuqitë nuk e kishin lënë ende. Ndërsa tani më shumë kohë e kalon para televizorit. Edhe pse në emisione të ndryshme ka dëgjuar se yndyra nuk të bën mirë, ajo thotë që është pikërisht ajka e qumështit që e ka mbajtur kaq gjatë të fortë. Gjithashtu nuk e ka preferuar asnjëherë mishin.
Në komunën Otllak të Beratit jeton një tjetër shekullore. Zyfke Ferti ka filluar ta ndjejë peshën e viteve ditë pas dite. Edhe ajo jeton me djalin e saj Sejatin, nusen Nexhin dhe 2 nipërit. Në datën 1 të muajit të shkuar ka festuar 103 vjetorin e lindjes. Shtëpia e tyre është vazhdimisht me njerëz të cilët vijnë të shohin të moshuarën, por edhe të dëgjojnë rrëfimet e saj. Dhe janë shumë, pavarësisht se në fshatin ku ajo jetoi për më shumë se 80 vjet, ne Kostren, gjërat ndryshonin shumë ngadalë. Me qartësi kujton histori të Luftës së Dytë Botërorem, por edhe histori personale. Është e lumtur për 8 nipërit e mbesat e saj. Tefta është e madhja, me të ka një lidhje shumë të veçantë. Edhe pse ka qenë 78 vjeç kur ajo ka ardhur në jetë, jo vetëm që i zgjodhi emrin, por thotë se e ka rritur vetë! Familjarët tregojnë se ka qenë një grua shumë e fortë, me jetë të vështirë, me shumë fatkeqësi, por ka mbijetuar. Ajo vetë thotë se ka qenë dashuria dhe kujdesi i familjarëve të saj sekreti i jetëgjatësisë.
Cifti Merlika: Dashuria na mban gjallë
Kanë 55 vite që e pijnë kafen e mëngjesit së bashku, që ditën që janë martuar. Fatos Merlika i ka lënë pas 94 vite, ndërsa bashkëshortja e tij Klara të 80-tat. Martesa e tyre ka qenë e bekuar, megjithëse jetojnë të vetëm në një apartament në Tiranë. Nuk ka nevojë për shumë fjalë pasi ata edhe sot i sheh të përqafuar kudo.
Kanë përdorur çdo ditë fjalë të ëmbla. Shumë rrallë i janë drejtuar me emër njëri-tjetrit pa i thënë “shpirt”. Kjo ka bërë që ata të shiheshin gjithmonë nga të tjerët si çifti i lumtur dhe jo vetëm në të ri të tyre.
“Një plak na ka vënë re që rrinim gjithmonë bashkë. Një ditë na ndaloi, vuri një dorë tek supi i tim shoqi dhe një tek unë e na tha që kënaqej kur na shihte”, tregon gruaja.
Klara, një zonjë plot humor e energjike, ndërsa Fatosi më hijerëndë e i tërhequr, kanë plotësuar gjithmonë njëri-tjetrin.
“Kam qenë fëmijë i artit, muzikën e kam dashur shumë dhe vitalitetin ma ka shtuar arti”, shton Klara.
Është një zonjë e fortë dhe optimiste, pavarësisht se i duhet të pijë ilaçe çdo vakt: “Përditë falenderoj Zotin për shëndetin që më ka dhënë. Gjithmonë e kam mposhtur sëmundjen.”
Jeta u ka mësuar se vullneti i mirë mposht çdo vështirësi: “Nëse një çift nuk fal gabimet e njëri-tjetrit, nuk ka mundësi të shkojë mirë.”
Janë këto gjërat që ta zgjasin jetën. Kujdesi për ushqimin e të tjera si këto janë të rëndësishme, por dytësore për ta. Fatosi lexon libër pa syze që jo shumë bashkëmoshatarë të tij mund ta bëjnë. Ndërsa ajo gatuan çdo ditë e përgatit ëmbëlsira.
Pjesën tjetër ulen së bashku në divan duke biseduar e parë televizor.
Personat më të moshuar në Botë
Misao Okawa, e lindur më 5 mars të vitit 1898 është gruaja më e moshuar në Botë!
Japonezja ka hyrë në librin e rekordeve Gines pasi vërtetoi me dokumenta origjinale se i ka kaluar 115 vjet.
Personi që ka jetuar më gjatë i regjistruar në librin botëror është Jeanne Calment, e cila jetoi 122 vjet e 164 ditë.
Por, nëse këto janë të regjistruara, studiues të ndryshëm po mundohen të tregojnë se mbi tokë kanë jetuar edhe njerëz më të moshuar se kaq. Por, historitë e tyre deri më tani kanë qarkulluar vetëm si legjenda urbane pasi nuk ka patur certifikata lindjeje për të vërtetuar ditën apo vitin e lindjes.
Carmelo Flores Laura nga Bolivia thotë se këtë vit ka mbushur 123 vjeç. Ai jeton në Aymara në një kasolle në një fshat të izoluar afër liqenit Titicaca.
Feroz-ud-Din Mir pretendon se është njeriu më i moshuar në botë. Ai thotë se ka lindur në 10 mars 1872 dhe sot jeton në fshatin Kashmir në Indi. Nëse është e vërtetë kjo, e bën 141-vjeçarin një ndër njerëzit më të vjetër që kanë jetuar ndonjëherë.
Dhaqabo Ebba, nga Etiopia, thotë se është 160 vjeç, çka do ta shndërronte atë në njeriun më të moshuar të njohur ndonjëherë në histori. Li-Ching-Yun lindi në një fshat të vogël të Kinës e për të thuhet se ka jetuar 256 vjet. Po a mund të jetojë një njeri kaq vite? Cili mund të jetë sekreti i jetëgjatësisë?
Shekullorët kanë dhënë recetat e tyre, ku përgjithësisht veçojnë kujdesin në ushqim.
Personi më i vjetër në SHBA, 113-vjeçarja Jearlean Talley pi kafe të zezë, me pak sheqer.
Reg Dean, pretendon se sekreti i jetëgjatësisë së tij është një ilaç misterioz që ka pirë në Indi.
Njeriu më i vjetër i Britanisë së Madhe, 110-vjeçari Uolter Bruning konsumonte vetëm 2 vakte në ditë, punonte sa kishte mundësi dhe kurrë nuk i ishte trembur vdekjes.
Carmelo Flores Laura mendon se vitet e tij janë shpërblim për ecjen e vazhdueshme që ka bërë. “Dal me kafshët”, ka thënë ai. Nuk konsumon alkool, por ka pirë pak kur ishte i ri.
Ndërsa Ishulli Ikaria është vlerësuar si një nga vendet me treguesit më të lartë të jetëgjatësisë në botë.
Banorët jetojnë mesatarisht 90 vjeç, 100-vjeçarët përbëjnë 1 për qind të popullsisë. Ky fenomen zgjoi kureshtjen e studiuesve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Athinës të cilët vendosën të realizonin një kërkim shkencor për të zbuluar se cili ishte sekreti i jetëgjatësisë së banorëve të Ikarias.
Rezultatet e plota të studimit zbuluan se 87 për qind e pjesëmarrësve pinin kafenë greke të zierë.
Top Channel