Natasha, inxhinierja me pasion stilimin

01/10/2013 00:00

Natasha është nga Kirgistani. Është inxhiniere anijesh dhe prej prej 10 vitesh jeton në Shqipëri. I pëlqen të vishet bukur dhe me stil, por nuk do të ketë veshje njëlloj si të të tjerëve.

“Disa zonjave iu pëlqen të bëjnë shopping, mua më pëlqen t’i bëj vetë gjërat. Kur shikoj një veshje në 3, 5 kopje nuk më bën të ndjehem aspak mirë. Une dua të kem veshje unike”, nis rrëfimin e saj për emisionin e Pasdites, Natasha.

Pjesa më e madhe e femrave adhuron të dalë për shopping, por Natasha thotë se ajo nuk e shijon aspak, përkundrazi asaj nuk i intereson të jetë në modë, por të duket bukur. I di puset dhe minuset e trupit të saj, kështu që gjithmonë përpiqet të nxjerrë në pah pjesët më të bukura.

I pëlqen të krijojë rrobat e saj e madje duke përdorur rrobat e familjarëve të saj.

“Kur gjyshërit e mi ndërruan jetë, prindërit e mi më sollën të gjitha gjërat e tyre, kështu që unë bëra një përzgjedhje të mirë të gjërave që mund të përdorja, të prisja apo t’i bashkoi me njëra-tjetrën. Ky ishte fustani i gjyshes sime, ka qenë i mamasë sime për të dalë dhe tani është fustani im për të dalë, madje ky është fustani me të cilin jam martuar…një herë”, rrëfen Natasha.

Cdo gjë e vjetër e intrigon Natashën, madje ajo ka ruajtur dhe ka stilizuar për veten edhe këmishën e bardhë ushtarake të babait dhe këmishën me vija të gjyshit.

“Kjo ishte e babait tim, kam prerë gjithcka të panevojshme dhe i kam vënë pjesë të jastëkëve shumëvjecare të qendisur nga gjyshja ime. Kjo është këmisha e gjyshit tim, është këmishë mashkulli, madje mund ta shihni. Është këmishë mëndafshi natyral dhe ka qenë fustani im që tani e kam ndryshuar”, thotë ajo.

Ka modifikuar fustanin që ka mbajtur nëna e saj kur ka qenë shtatzënë në një kanatjere, e po ashtu vazhdon të ruajë fustanin që pasur kur ka qenë shtatëzënë më djalin e saj.

“E kam bërë këtë fustan para 33 vjetësh, kur kam qenë shtatzënë. E kam dizajnuar si një inxhiniere për të qenë multifunksional. Por e vesh cdo vit në ditën e lindjes së djalit, është kthyer në traditë”, shprehet Natasha.

Ka një pasuri të tërë veshjesh të krijuara nga duart e saj, madje me materiale të mira, megjithatë është ende në dilemë se kujt do t’ia lejë këtë arsenal veshjesh të gjitha të punuara me dorë.

“Ende nuk jam gati për të hequr dorë dhe po pres kur njëra nga mbesat e mia të rritet dhe të kuptojë vlerat e vërteta të tyre sepse anëtarëve të tjerë të familjes nuk iu interesojnë këto gjëra”, përfundon Natasha.

Top Channel