Delvina është njohur për sipërfaqen e gjerë dhe të pasur të kullotave dhe pyjeve, mes tyre dhe komplekse të rrallë pyjore si parqet me Rrepe, pisha dhe valanidh.

E gjithë sipërfaqja e kullotave i kalon të 11 mijë ha dhe ajo pyjore prej vitesh mbulon një hapësirë prej rreth 10 mijë ha. Prej të paktën 4 vitesh gati 60% e gjithë sipërfaqes së pyjeve dhe kullotave i ka kaluar për menaxhim njësive vendore, prej të cilave Bashkia e Delvinës, komunat Vergo dhe Mesopotam kanë nën menaxhim 100% të sipërfaqes së pyje-kullotave brenda territorit të tyre.

Por, që prej asaj periudhe, sipas Baftjar Beqirajt, kreut të Shërbimit Pyjor në Delvinë, është vënë re një keqmenaxhim i këtyre hapësirave prej komunave  e lidhur kjo me mungesën e plotë të specialistëve të fushës.

Të ardhurat vjetore të disa komunave në Delvinë prej shfrytëzimit të pyjeve apo dhënies së parcelave për shfrytëzim janë sa gjysma e buxhetit të tyre vjetor e megjithatë asnjë prej njësive nuk ka investuar asgjë nga të ardhurat për përmirësimin dhe rehabilitimin e sipërfaqes pyjore.

Së fundi ka filluar të vihet re prerja sporadike e pemëve të vendosura pranë ngastrave bujqësore të ndara sipas ligjit 7501, nën pretendimin se hija e pemëve nuk lejon kultivimin e kulturave bujqësore dhe dëmton prodhimin . Kreu i Shërbimit Pyjor thotë se janë bllokuar dhe penalizuar shpesh subjekte të tilla. Policia pyjore bllokoi dy ditë më parë një mjet të rëndë të ngarkuar me dru eukalipsi të prerë pranë parcelave bujqësore të fshatit Stjar.

Hapësira pyjore e Delvinës është prekur gjatë dekadës së fundit prej zjarreve masive të qëllimshme. Edhe në këtë pikë ekipet e mbrojtjes nëpër komuna janë totalisht jo efektive sipas Shërbimit Pyjor.

Fatmirësisht, vera e sivjetshme regjistroi vetëm disa raste sporadike zjarresh pa dëmtime në pyje, ndërsa pritet që sipas logjikës së djegjes së kullotave për t’i rigjeneruar një herë në tri vjet zjarret të rishfaqen vitin e ardhshëm.

Top Channel