Champions, fitojnë të mëdhenjtë

01/10/2013 23:00

Janë zhvilluar ndeshjet e dyta të fazës së grupeve në Champions League, ku kanë fituar thuajse të gjitha skuadrat e parashikuara si më të forta në letër.

Një nga ndeshjet më interesante, padyshim, ka qenë ajo mes Arsenalit dhe Napolit, e fituar nga “topçinjtë” me rezultatin 2-0.

Ozil zhbllokon rezultatin që në minutën e 8, ndërsa në të 15-n Giroud dyfishon shifrat, që mbeten të pandryshuara deri në fund, pavarësisht tentativave të bëra nga italianët.

Me këtë rezultat, Arsenali kryeson i vetëm grupin F, me dy fitore në dy ndeshje, ndërkohë që e ndjekin Napoli dhe Borussia, teksa kjo e fundit ka marrë fitoren e parë të grupit, duke mundur 3-0 Marsejën.

Dy golat nga Lewandowski hapin dhe mbyllin serinë, ndërkohë që Reus kompleton rezultatin me 3 gola.

Milan-Ajaks përfundon në barazim 1-1, me dy gola të shënuara brenda 2 minutave të fundit. Në të 90-n janë holandezët që zhbllokojnë takimin, ndërkohë që në minutat shtesë Balotelli fiton një 11-metërsh dhe e shndërron në gol, duke shpëtuar kuqezinjtë nga humbja.

Grupin H e kryeson Barcelona me 6 pikë, pasi fitoi ndeshjen e dytë me Celtic 1-0, falë golit të Fabregas.

Në grupin E, Chelsea merr fitoren e parë, pasi ka shkatërruar 4-0 Steaua Bukureshtin. Dy gola të Ramirez, autogoli i Gjeorgjevskit dhe ai i shënuar nga Lampard në minutën e 90, i rikthejnë buzëqeshjen Mourinho-s, që po kalon një situatë të vështirë me “blutë” e Londrës.

Schalke, ndërkohë, kryeson këtë grup, pasi ka fituar edhe ndeshjen e dytë përballë Bazel, këtë herë në Zvicër 0-1, falë golit të Draxler.

Top Channel