Peter Lucas është një gazetar i njohur amerikan me origjinë shqiptare. 72-vjeçari është ende aktiv në gazetari për të treguar aktualitetin që na rrethon. Vjen në emisionin “Shqip” në një intervistë të hapur me plot të pathëna për njerëzit që kanë drejtuar Shqipërinë e për njerëzit që po nisin të drejtojnë atdheun e origjinës së tij.
Peter Lucas është gazetar veteran i politikës, ai ka punuar për “Boston Globe”, për “Boston Herald” dhe së fundmi edhe për “Lowell Sun”. Lucas është autor i pesë librave, tre prej të cilëve janë përkthyer në gjuhën shqipe. Tre librat e Peter Lucas botuar në gjuhën shqipe janë,” Rrumpalla-Rrëmimi në të gjithë Shqipërinë”, “OSS-të në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore” dhe “Cezari i Ballkanit”.
Në vitin 1986 Lucas ishte i pari gazetar amerikan që u lejua të vinte në Shqipërinë komuniste. Pas vizitës së parë në Shqipëri, shkroi një seri me dhjetë pjesë për “Boston Herald”, shkrime që tërhoqën vëmendjen kombëtare e ndërkombëtare për shkak së Shqipëria ishte e panjohur për të gjithë botën.
Puna e ka çuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë po ashtu. Lucas ishte gazetari që tregoi për luftën në Vietnam, për trazirat në Irlandën e Veriut, për Kubën e për rënien e komunizmit në Ballkan.
Peter Lucas ka takuar Presidentë në Shtëpinë e Bardhë, intervistoi Fidel Kastron në Kubë dhe ishte prezent gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999.
Por Peter Lucas guxoi të përfshihej edhe në fushatat presidenciale amerikane ndër vite. E tillë ishte eksperienca e Peter Lucas në mbështetje të kandidatit për President të SHBA, Michael Dukakis.
Ky i fundit shkroi parathënien e librit “Rrumpalla” të Peter Lucas, duke treguar disa nga arsyet pse gazetari amerikan shkroi për Shqipërinë.
***
Peter Lucas në “Shqip nga Rudina Xhunga”
Lucas: Luftoni korrupsionin, ose nuk do të ketë më Shqipëri!
Lucas: Ndërtoni fabrika, mjaft me kazino!
Lucas: Tranzicioni në Shqipëri nuk mbaron me Ramën, tranzicioni nis me Ramën. Këto 23 vjet kanë qenë time out
***
Intervista marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip”
Rudina Xhunga: Çfarë shansesh ka Shqipëria për ndryshim?
Peter Lucas: Unë besoj se Shqipëria ka shanse. Edi Rama mund të jetë një shans. Nëse Edi Rama do të bënte për Shqipërinë atë që ka bërë për Tiranën kur ishte Kryetar Bashkie, besoj se do të kishte një zhvillim të mrekullueshëm që do të ndihmonte shumë në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nëse nuk e bën Edi Rama, nuk di se kush tjetër mund ta bëjë. Njerëzit ende duan të largohen nga Shqipëria për të emigruar, por, në shumë mënyra, jeta në Shqipëri sot është më e mirë se jeta në vendet ku ata shkojnë, të paktën mua kështu më duket.
Rudina Xhunga: Në Shqipërinë që ka drejtuar prej 8 vjetësh kryeministri Berisha. Ai e ka bërë këtë vend, më të mirë sesa vendet ku po emigrojnë shqiptarët si në Itali dhe Greqi, këtë doni të thoni?
Peter Lucas: Jo, nuk është kështu. Por unë besoj se ai mund ta kishte bërë Shqipërinë një vend më të mirë, sepse fryma është këtu, ekziston. Ndonëse me i forte është tundimi për t’i rënë shkurt. Shikoni gjithë këto ndërtime të paligjshme që kanë shkatërruar bregdetin. Nga ajo që unë shoh, vendi i vetëm i sigurt është Vlora. Durrësi është katrahurë, madje edhe Tirana. Në Tiranë hedh sytë rreth e rrotull dhe njerëzit ndërtojnë pa leje, kate të tëra dhe nëse kjo nuk ndalon atëherë nuk do të ketë fare Shqipëri. Prandaj dhe mendoj se është e rëndësishme për njerëz si Edi Rama që te ndryshojnë gjendjen. Nëse nuk i bëjnë këto ndryshime tani, gjërat mund të bëhen shumë më keq. Unë nuk kuptoj shume gjera këtu. Pse duhen gjithë këto kazino në çdo cep në çdo rrugë? Kush luan bixhoz? Shqiptarët do te shkojnë, kush tjetër. Pse duhet të nxjerrësh para nga shqiptarët që nuk ia dalin dot as për të bërë një jetë bazë. Nuk është kjo rruga e duhur. Ju duhet të ndërtoni fabrika, ju duhet të prodhoni gjëra si Maqedonia. Maqedonasit përpiqen të marrin industri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ngrenë fabrika në Maqedoni sepse ata po mundohen të arsimojnë krahun e punës që të prodhojnë gjëra më të lira dhe kjo është rruga që duhet të ndjekë Shqipëria. Ndërtoni fabrika, jo kazino!
Rudina Xhunga: Ju e keni intervistuar disa herë Sali Berishën dhe e pëlqenit atë. Çfarë ndodhi më pas? Pse ndryshuat, kryekëput, mendim për të?
Peter Lucas: Unë e kam takuar Berishën për herë të parë në 1989, së bashku me Gramoz Pashkon, kur ata formuan Partinë Demokratike. Ishin të rinj, entuziastë dhe përfaqësonin ndryshimin në sensin pozitiv të fjalës. Në atë kohë komunizmi ishte duke rënë dhe Ramiz Alia, që ishte ende në pushtet, nuk mund ta përballonte të gjithë këtë ndryshim. Kështu që miqtë e mi dhe unë menduam se Sali Berisha përfaqësonte shpresën. Më kujtohet që e kam shoqëruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ai ka ardhur për vizitë dhe e çuam nëpër disa gazeta të rëndësishme amerikane, sepse besoja qe ai përfaqësonte më të mirën e Shqipërisë. Por ngadalë ngadalë, shihja që gjërat nuk po ndryshonin, domosdoshmërish pozitivisht. Gjërat ose qëndronin aty ku ishin ose më keq akoma. Korrupsioni politik u bë një problem i madh. Madje duhet të them diçka. Nën komunizëm, zor se kishte korrupsion politik. Ndoshta, sepse nuk kishte se çfarë të vidhej. Por në kohën e demokratëve gjërat u orientuan shumë nga biznesi, domethënë çdo gjë shihej si biznes dhe tundimi ishte shumë i madh për t’i rënë shkurt. Gjithçka u bë kap këtu, kap aty dhe kjo gjë u bë shumë e dukshme. Më pas, ishte një tendencë edhe për një lloj regjimi autoritar dhe me kalimin e kohës, se Sali Berisha u bë një figurë gjithnjë e më autoritare dhe kjo i zhgënjeu njerëzit duke përfshirë edhe mua.
Rudina Xhunga: Keni menduar ndonjëherë se tranzicioni i vështirë i Shqipërisë ndodhi për shkak se udhëheqësit që kanë qeverisur më gjatë, si Fatos Nano apo Sali Berisha, nuk dinin apo nuk donin?
Peter Lucas: Besoj se është një kombinim gjërash. Ju folet per tranzicion por unë besoj që tranzicioni nuk ka ndodhur në Shqipëri. Kjo që kaluat ishte time out, ishte një lloj pushimi. Nëse do te kete një tranzicion në Shqipëri, ai do te duhej të fillonte pikërisht këtu, sot, tani, me kryeministrin e ri. Sepse deri tani nuk ka pasur tranzicion. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë vend për 20 vjet, perverse rritjes se korrupsionit dhe rrjedhimisht papunësisë. Nuk dua t’i tremb njerëzit. Mua më pëlqen shumë të vij në Shqipëri, më pëlqen jeta e kafeneve, të eci në këmbë në rrugë. Unë e shijoj shumë qëndrimin tim këtu, kam shumë miq dhe mendoj se është një nga vendet më të mira në botë për t’u vizituar. Në fakt, nëse do më pyesje se ku do dëshiroja të jetoja, unë do thosha këtu. Dhe e them me të vërtetë këtë. Por ti e ke parasysh, ne gazetarët shohim tablonë e madhe.
Rudina Xhunga: Po, për tablonë e madhe dua t’ju pyes në fakt. Kur ishin duke u zhvilluar zgjedhjet, ju ishit në pritje që Rama të fitonte? Pse nuk shkruat gjate kësaj kohe?
Peter Lucas: Po e vërtetë, nuk kam shkruar gjë për këtë sepse nëse nuk isha ketu dhe para se te shkruaj, dua t’i shoh gjërat me sytë e mi, t’i prek me duart e mia. Por ndihej, nga mënyra sesi po sillej Sali Berisha gjatë fushatës, që ishte prapa dhe mund ta nuhasje këtë gjë, po të ishe duke ndjekur zhvillimet. Kështu që nuk ishte ndonjë çudi e madhe që i fitoi zgjedhjet Edi Rama. E vetmja çudi per mua ishte koalicioni që ai bëri me Ilir Metën. Kjo po që me çuditi. Por, ndoshta atij i duhej kjo aleancë për të arritur maxhorancën.
Rudina Xhunga: Pse, ju nuk ju pëlqen Meta?
Peter Lucas: Jo, por e di që ka pasur disa polemika, diskutime për një çështje korrupsioni me Ilir Metën nëse e mbaj mend mirë, para disa kohësh. Por kjo është politika. Herë të bën të ngjash i mirë, e herë të keq.
Rudina Xhunga: A ju duket se ky koalicion, me gjithë përfoljet dhe problemet, do ta luftojë korrupsionin?
Peter Lucas: Nëse nuk e luftojnë korrupsionin, atëherë çdo gjë ka marrë fund. Madje, një ditë nuk do mbetet gjë për të vjedhur këtu, dhe dyqanet do të mbeten bosh. Besoj se tani është momenti për t’i ndryshuar gjërat. Kjo është koha perfekt për ndryshim. Një fakt që ndihmon do të jetë edhe marrëdhënia e mirë që Edi Rama ka me Presidentin Obama. Edi Rama e ka mbështetur Obama-n në veprimet që ai ka ndërmarrë sa i përket çështjes së Sirisë dhe gjatë fushatës së tij ai e ka përmendur Presidentin Obama. Jam i sigurt që edhe Obama ka qenë i kënaqur që ka pasur të paktën një lider evropian që ka thënë gjëra të mira për te. Duhet të keni parasysh se një pjesë e mirë e gjithë politikës është personale. Ndoshta një pjesë e mirë e ndihmës që Amerika i ka dhënë Egjiptit, mund të vije në Shqipëri. Ndodhin gjëra të çuditshme në politikë. Kjo është politika. Ti kurrë nuk e di, se me kë do të zgjohesh, nesër në mëngjes.
Rudina Xhunga: Prandaj juve ju ka pëlqyer më shumë gazetaria se sa politika.
Peter Lucas: Ka shumë dramë në politikë. Shumë teatër.
Rudina Xhunga: Po në gazetari, çfarë ka? Vetëm pasion, vetëm aventurë, vetëm kënaqësi? Përveç lodhjes.
Peter Lucas: Gazetaria me jep mundësi të njihem me njerëz që ndoshta nuk do të kisha kurrë mundësi t’i njihja, duke filluar nga presidentët, yje të kinemasë, nga të gjitha fushat e jetës. Më ka dhënë mundësi të vij në Shqipëri, ndoshta nuk do të kisha ardhur fare po të mos kisha qenë gazetar. Kjo është e para. Dhe është gjë shumë e bukur të shohësh ngjarjet në botë. Është diçka që kontribuon edhe në karakterin tënd, në jetën tënde dhe nëse je më fat mund të zgjedhësh gjërat e mira dhe të mbështetesh dhe ndërtosh mbi to. Harroji gjërat e këqija, lëri pas dhe mundohu të kapesh tek gjërat e mira.
Rudina Xhunga: Ka diçka që doni t’i thoni gazetarëve shqiptarë. Në kohëra ndryshimesh si këto e lënë gazetarinë dhe menjëherë bëhen zëdhënës të pushtetit, të tjerë gazetarë e lënë gazetarin dhe bëhen vetë pushteti, futen në politikë. Si ju duket juve kjo? Çfarë do të thotë në gazetari, të jesh i paanshëm. Ekziston më kjo si term? A mundet një gazetar të jetë i paanshëm kur një gazetar ka preferencat e veta për një krah të caktuar politik?
Peter Lucas: Jo, nuk ekziston siç ekzistonte dikur. Sot, pjesa më e madhe e gazetarisë është personale. Por, si gazetar, duhet të jesh në gjendje ta trajtosh një ngjarje pa pasur asnjë interes në të. Kur unë shkruaj një artikull, pikërisht këtë përpiqem të bëj. Jo, kur shkruaj opinione, ta bëjmë të qartë dallimin. Por kur shkruan një histori, gjithçka duhet ta mbulosh siç do të bëje për një zjarr në kishë. Nuk ka rëndësi nëse kisha është katolike, ortodokse, sinagogë herreje. Rëndësi ka që është një zjarr dhe pikërisht këtë shkruan ti, si gazetar. Ti si gazetar, nuk shkon të thuash u dogj kisha sepse ishte kishë katolike. Ti thua, u dogj, sepse ra zjarri. Dua të jap një shembull. Kur isha gazetar i ri, ndihmoja një gazetar më të vjetër i cili po mbulonte një çështje vrasjeje. Në fakt, bëhej fjalë për një njeri i cili akuzohej se kishte vrarë gruan e tij. Dhe ky njeri më tha, unë nuk e kam vrarë gruan time. Ky ishte fakt dhe këtë shkruan dhe ti si gazetar. Por, policia e dinte se ai e kishte vrarë gruan e tij, prokuroria e dinte se ai e kishte vrarë dhe po ashtu edhe gazetari e dinte se ai e kishte vrarë. Fakti ishte që ai tha se nuk e kishte vrarë, por e vërteta ishte se ai e kishte vrarë. Kështu që, një gazetar i mirë, shkon përtej fakteve për të kërkuar të vërtetën.
Rudina Xhunga: Do të doja ta mbyllja me gazetarinë, këtë intervistë, sepse unë ju kam ftuar pikërisht se ju jeni një gazetar i rëndësishëm. Tani në Shqipëri jemi në një kohë ndryshimi. Çfarë i uroni shqiptarëve tu sjellë ndryshimi i pushtetit?
Peter Lucas: Jimmy Carter kur u zgjodh president në vitet ’70 tha, se donte një qeveri po aq të mirë sa populli i vet dhe nëse Shqipëria do të kishte një qeveri po aq të mirë sa njerëzit që ka, do të ishte sukses. Këtë do t’i uroja shqiptarëve tu sillte ndryshimi.
Top Channel