Qeveria shtyn ligjin e nëpunësit

30/09/2013 00:00

Maxhoraca e re qeverisëse nuk është terhequr nga qëndrimi i artikuluar disa ditë për ligjin e nëpunësit civil. Në mbledhjen e qeverisë ky ligj është diskutuar i pari ndër 33 vendime që janë prodhuar nga Këshilli i Ministrave nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Nëpërmjet një akti normativ qeveria vendosi ndryshimin e nenit 70 dhe 72. Akti normative bën që ky ligj të hyjë në fuqi më datën 1 tetor 2013, siç ishte parashikuar, por e fillon efektin e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi, që do të thotë se për gjashtë muajt e ardhshëm qeveria do të operojë me ligjin për statusin e nëpunësit civil miratuar në vitin 1999.

Ky akt normativ i qeverisë argumentohet me faktin se: “duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare”.

Kryeministri Edi Rama bëri realitet paralajmërimet e artikuluara se çdo vendim i marrë nga qeveria Berisha pas 23 qeshorit do të shfuqizohej. 24 prej 33 vendimeve të mbledhjes së qeverisë mbrëmjen e së hënës ishin shfuqizime të vendimeve të marra nga qeveria e shkuar në harkun kohor korrik-gusht 2013.

Tetë vendime të Këshillit të Ministrave shfuqizuan 8 lejet konçesionare për ndërtimin e hidrocentraleve në zona të ndryshme të vendit. Një tjetër vendim i hap rrugë proçedurave për ngritjen e grupit të punës dhe studimin e termave të referencës për subjektet e interesuara në Auditimin e Borxhit që institucionet shtetërore u kanë subjekteve vendase, përfshirë shërbimin e asistencës në fushën e doganave dhe tatimeve.

Dy vendime të tjera, ata me numër 22 dhe 25 shfuqizojnë vendimet e qeverisë Berisha që lidhen me pronat e ushtrisë, më konkretisht ato të Gardës së Republikës dhe 12.969 m2 truall të repartit ushtarak 5013 në Vërtop të Beratit.

Ndërsa vendimi numër 19 është një tjetër shfuqizim që lidhet me konçesionin e ndërtimit të portit të jahteve në Porto Palermo të Himarës dhënë studios AMZ. Ndërsa vendimi numër 31 ka liruar nga detyra drejtorin aktual të ALUIZNI-t dhe emëruar në këtë post Artan Lamen.

Top Channel