Mourinho shpërthen në konferencë shtypi

30/09/2013 00:00

Trajneri i Chelsea, Jose Mourinho, rikthehet të shndërrohet në protagonist të konfliktimit me mediat, “armëpushimi” i pazakontë me të cilat kishte zgjatur disa javë që prej rikthimit.

Gjatë konferencës për shtyp, portugezi u irritua me mediat dhe braktisi sallën, duke lënë Lampardin të vetëm që t’i përgjigjej pyetjeve.

Ishte një pyetje mbi arsyet e mosaktivizimit të një prej blerjeve të tij, Kevin de Bruyne, ajo që shkaktoi tërbimin e trajnerit të Chelsea.

“Gjithmonë pyetjet janë për ata që nuk ndodhen, për ata që nuk luajnë. Është fantastike se si tani askush nuk të pyet më për Matën, që ishte tema kryesore e bisedës për tre javët që mungoi. Disa më njohin prej nëntë vitesh dhe e dinë që mund të bëj gabime, por gjithmonë përpiqem të jem i ndershëm. Kevinit i kam thënë që nuk më pëlqeu si luajti ndaj Suindonit dhe as si është stërvitur këto kohë”, tha Mourinho, duke u larguar pas kësaj në formë demonstrative.

Drejt daljes, ai i tha gazetarëve “shihemi nesër”, duke iu referuar konferencës pas shtyp të ndeshjes së Bukureshtit, ndaj Steauas.

Ndërkohë, kaq mjaftoi që ndaj Mourinhos të nisë një stuhi mediatike. E përditshmja “Daily Mail” ironizoi me një titull të veçantë: “Kush është “El Nino” tani?”.

Top Channel