Messi, 2-3 javë jashtë fushave

30/09/2013 00:00

Barcelona do të luajë gjatë 2 ose 3 javëve të ardhshme pa Leo Messin. Analizat mjekësore treguan se argjentinasi ka pësuar një dëmtim muskular në kofshën e djathtë që do e mbajë jashtë fushave për 15-20 ditë.

Komunikata mjekësore, ashtu siç është bërë zakon tashmë tek Barcelona kur bëhet fjalë për Messin, nuk qartëson asgjë për shkallën e dëmtimit.

Nga 11 dëmtime që ka pësuar në karrierë Messi, 8 kanë prekur muskulin e kofshës së djathtë. Kohët e fundit, katër herë fituesi i Topit të Artë ka pësuar shumë dëmtime muskulare dhe heshtja e Barcelonës për këto dëmtime bën të mendohet se situata mund të jetë më e rëndë sesa duket.

Leo Messi do të humbasë ndeshjet ndaj Celtic e Valladolid me Barcelonën dhe ndaj Perusë e Uruguajit me Argjentinën.

Pritet që Messi të kthehet në fund të tetorit, kur katalanasit do të luajnë në 5 ditë ndaj Milanit në San Siro dhe ndaj Realit në “Santiago Bernabeu”.

Top Channel