Madridi po mërzitet me Ancelottin

30/09/2013 00:00

“Klubi më i madh në Botë duhet të fitojë duke luajtur një futboll spektakolar sepse historia dhe tradita e tij është të bëjë lojë sulmuese dhe spektakolare.”

Këto ishin fjalët e para të Carlo Ancelottit si trajner i Real Madrid, fjalë të cilat po i kthehen kundër pas një muaji e gjysmë ku skuadra e tij nuk ka treguar lojën spektakolare dhe për më tepër ka humbur në fundjavë derbin ndaj Atletico Madrid, që në “Santiago Bernabeu” nuk e humbte prej 14 vitesh.

Tifozët e vërshëllyen teknikun për faktin që hoqi nga loja Iscon për ta zëvendësuar me Moratën në minutat e fundit të derbit të humbur 0-1. Madrilenët prisnin që të dilte Benzema, sulmuesi të cilin e kanë shënjestruar për formën e tij të dobët sipas tyre.

Nga ana tjetër, mediat sportive shkruajnë se Ancelotti nuk ka zgjidhur ende shumë gjëra në skuadër. Ja disa prej tyre:

Portieri – Ka gjetur një zgjidhje të çuditshme që e përdor për herë të parë në karrierë: njëri portier luan në kampionat (Diego Lopez), tjetri në Champions (Casillas).

Bale – Vendosi ta fuste në fushë ndaj Villarreal blerjen më të shtrenjtë të historisë edhe pse nuk kishte zhvilluar fare fazë përgatitore. Rezultati: uellsiani u dëmtua dhe do vonojë të rifitojë formën.

Casemiro dhe Jese – Dy futbollistë që kanë ardhur nga skuadra B e Realit dhe që në miqësoret e verës janë paraqitur shumë mirë, nuk po gjejnë hapësira në formacionin e Ancelottit.

Top Channel