Andrea Stefani – Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ka lajmëruar
mbarimin e mandatit të tij në Shqipëri. Një 3 vjetësh me ngjarje të
tensionuara që ai e nisi me një mburrje për Sali Berishën dhe po e
përmbyll me një mburrje po për të
Në fillim i tha “burrë shteti” duke marrë mbi vete kritika të shumta. Tani në fund, pak ditë më parë, ndërsa thuajse po korrigjonte veten duke pranuar se ndoshta duhej të kishte thënë “burrë i zgjuar”, Arvizu lëshoi një tjetër elozh për Berishën. Dhe këtë herë më superlativ dhe prandaj edhe më të gabuar: “Është një politikan i jashtëzakonshëm”!
***
Ambasadori, diplomati, amerikani Arvizu ka lirinë të ketë mendimin e tij për Berishën dhe për këdo. Ndërkaq edhe të tjerët, pra edhe gazetarë si puna ime, kanë të drejtën të kenë mendimin e tyre për ato që shprehin politikanë dhe diplomatë që rasti e sjell të kenë në fatin e Shqipërisë një ndikim shumë më të madh sesa dedikimi apo edhe aftësia e tyre për të bërë gjënë e duhur për të. Gjithë dinamika e ngjarjeve në 3 vjetët e fundit dëshmon se ambasadori Arvizu e ka pasur tepër të vështirë të çlirohet nga iluzionet për Berishën. Për një kohë jo të vogël ai ka refuzuar të dëgjojë zërat kritikë në opozitë dhe media, që këmbëngulnin në tezën se Berisha është një autokrat i pakorrigjueshëm që po rrezikon projektin e demokracisë në Shqipëri. Ka besuar se Berisha është një demokrat që bën edhe gabime por që, në fund të fundit, është i lidhur me demokracinë. Prandaj edhe kur Berisha kërcënonte të organizonte antimitingje përçarëse si Basha al Asad pas 21 janarit dhe kur ishte po ai që hiqte dorë, Arvizu nxitonte ta përgëzonte “burrë shteti”. Thënia habiti jo pak. Burrë shteti?! Sapo qenë vrarë 4 protestues para dritares së Berishës. Dhe burrë shteti ka, të paktën në shqip, një konotacion pozitiv. Me burrë shteti kuptohet, përgjithësisht, një politikan që qeveris mirë dhe me sukses. E megjithatë thënia mund t’i shpëtojë qortimit nëse fusim në të të gjithë qeveritarët pra, edhe ata që kanë punuar keq e kanë bërë madje krime. Kështu burra shteti mund të quhen edhe Hitleri, Musolini, Enveri, Mehmeti, Truhilio, Sadami, Gedafi apo Asadi. Në këtë këndvështrim edhe Berishës mund t’i thuhej “burrë shteti” edhe pse ushtarët e tij sapo kishin vrarë protestues të pafajshëm.
***
Puna nuk ndryshon shumë kur dëgjon ambasadorin që ta vlerësojë Berishën si “politikan të jashtëzakonshëm”. Se çfarë do të thotë “i jashtëzakonshëm”? Përgjithësisht termi nënkupton diçka të mirë, aftësi dhe virtyte të pazakonta, tej normales. Ky kuptim bën që thënia e Arvizut të perceptohet si një kompliment për Berishën. Gjë që bie ndesh me opinionin që kanë shumica e shqiptarëve për të. Gjë që u duk edhe nga rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërkaq, vetë ambasadori mund të ketë një kuptim tjetër për cilësimin “i jashtëzakonshëm”. Ai duket se mendon, dhe në fakt e shpreh, se i jashtëzakonshëm është një politikan që pasi bie në humnerën e disfatës, arrin të ringrihet prapë si feniksi në majat e pushtetit. Sa njerëz do të kishin përjetuar atë të ’97 dhe do riktheheshin si feniksi në 2005? – pyet retorikisht Arvizu? Shumë pak, do ta pranonim edhe ne. Por kjo nuk i bën ata të jashtëzakonshëm. Nën këtë optikë i jashtëzakonshëm mund të jetë edhe Adolf Hitleri që pasi u burgos për organizmin e puçit të armatosur të Mynihut, arriti të ngrihej deri në majat e pushtetit. Por ne nuk mund të pajtohemi me vlerësimin e Sali Berishës si politikan i jashtëzakonshëm. Sepse e jashtëzakonshmja për mendësinë demokratike nuk qëndron te forca për të qëndruar pafundësisht në pushtet, por tek arsyeja për t’u larguar nga pushteti kur vjen koha. I jashtëzakonshëm është ai lider që bën atë çka është e pazakontë për pasionin njerëzor, ai që largohet nga pushteti kur të tjerët do kapeshin pas karriges me thonj, dhëmbë, e gjak. Pra, për mendësinë demokratike të jashtëzakonshëm janë Xhorxh Uashingtoni, Lucius Cincinati apo Lula da Silva që me modesti i vetëlargohen pushtetit në emër të një të mire më të madhe publike. Ndërsa këta të tjerët që në një moment historik, shfrytëzojnë dëshpërimin, shpresat, iluzionet, fanatizmin , padijen, nacionalizmin e turmave, këta që bëhen “forca dominuese në historinë e politikës” së një vendi duke lartësuar kultin dhe pushtetin e tyre dhe zhvlerësuar institucionet, nuk janë fare të jashtëzakonshëm. Janë fare komunë, të pavlerë për demokracinë, prandaj të padëshirueshëm për të.
***
Kritika që i bëjmë deklaratës së Arvizu është pjesë e përpjekjes për krijimin e një mendësie të re në vlerësimin e figurave politike. Ka të bëjë me ardhmërinë. Nëse Berisha arriti të jetë forca dominuese e politikës në këta 23 vjet, kjo nuk është meritë e tij por, më së shumti, dobësi e shoqërisë shqiptare dhe e institucioneve të shtetit të saj që ai i shfrytëzoi dhe i thelloi në favor të pushtetit dhe kultit të tij. Ndaj na duket tërësisht e gabuar të thuash se ai, Berisha, “ka shumë gjëra për të cilat duhet të jetë krenar për sa i përket trashëgimisë së tij”. Vërtet?! Berisha vetë ndoshta po. Si dhe fanatikët e tij. Por jo shumica e shqiptarëve që e kundërvotuan me revoltë. Se ku është kjo trashëgimi për t’u krenuar? Te fakti që u deshën 23 vjet që Berisha më në fund të hiqte dorë nga të qenët kryetar formal i PD, por pa hequr dorë nga të qenët kryetar real i saj? Ç’ka për t’u krenuar në këtë ngurtësim të lidershipit që të kujton traditën e liderëve komunistë që plakeshin në krye të partisë? Apo mos duhet ta kërkojmë traditën krenare në orvatjen për kapjen e të gjitha pushteteve? Kritikë që nuk e formulojnë vetëm ca gazetarë shqiptarë apo rivalët politikë të Berishës. E ka thënë edhe Xhon Uidhers, paraardhësi i Arvizu në postin e ambasadorit të SHBA. Qysh në vitin 2008, Uidhers njoftonte Uashingtonin se “…Kryeministri Berisha ka ndërmarrë një numër përpjekjesh për të konsoliduar pushtetin e tij në dëm të institucioneve kyç, përfshi përpjekjes për të penguar dhe ndërhyrë në punët e Prokurorit të Përgjithshëm, për të shkatërruar hetimet mbi shpërthimin e marsit në Gërdec…”. Dhe pasi ka mësuar një tendencë të tillë nga Xhon Uidhërs, madje edhe pasi ka parë përsëri Berishën të ushtrojë presione rrugaçërore mbi një kryeprokurore, të pengojë ndalimin e gardistëve dhe të zhdukë prova për të shkatërruar hetimet e masakrës së 21 janarit, mbasi ka provuar në kurrizin e tij harbutërinë e Berishës dhe klanit të tij, ambasadori Arvizu i flet shqiptarëve mbi një trashëgimi berishiste për t’u krenuar! Por trashëgimia e Berishës është më e keqja e mundshme për demokracinë. Është versioni enverist që po e shpinte Shqipërinë, sikundër paralajmëronte edhe Xhon Uidhërs shqiptarët, drejt një diktature të re. Dhe një trashëgimi e ligë shndërrohet në një prangë nëse e shpallim të mirë. Shqiptarëve u duhet thënë e vërteta që të mund të çlirohen prej saj. Sepse sikundër thosh një tjetër Xhon (këtë herë është fjala jo për Uidhërs, por për Apostullin e Krishtit) njerëzit duhet të mësojnë të vërtetën. Dhe e vërteta do t’i bëjë të lirë.
Top Channel