Sekretari i Përgjithshëm i Organizates se Kombeve te Bashkuara,  Ban Ki-moon priti kryeministrin Edi Rama pak pasi shefi i qeverise shqiptare mbajti fjalën në Asamblenë e Përgjithshme, përpara përfaqësuesve të vendeve antare të kësaj organizate ne pallatin e qelqtë.

Njoftimin për këtë takim e ka publikuar zyra e Ban Ki-moon, ku thuhet se biseda eshte fokusuar tek prioritet e qeverisë se rë shqiptare.

“Sekretari i përgjithëshëm inkurajoi qeverinë në vijimin e luftës ndaj korrupsionit dhe përparimin me reformat që lidhen me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në njoftim.

Sekretari i Pergjithshem i OKB-së përshendeti emërimin e një numri ministresh femra në qeverin dhe pozicionet e tjera drejtuese, duke shpresuar që kjo tendencë të vazhdojë.

Në fund të njoftimit për shtyp, zyra e Ban Ki-moon thotë se gjatë takimit me Edi Ramën, Sekretari i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen për përqafimin e reformave të OKB-së dhe mbështetjen e nismës “Veprojmë si Komunitet i Vetëm” si dhe pjesëmarrjen aktive në axhendën për zhvillim pas 2015. 

Ata gjithashtu biseduan lidhur edhe me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku Sekretari i Përgjithshëm ka një angazhim të veçantë në Kosovë dhe në raportet e ketij shteti me Serbine.

Rama theksoi se marrëveshja mes dy shteteve mbyll një kapitull konfliktesh në Ballkan dhe i hap rrugë një fryme të re bashkëpunimi në rajon.

Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur për 104 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën dhe kërkoi që procesi i njohjes së Kosovës të vazhdojë dhe të pranohet edhe nga vende të tjera.

Po ashtu ai e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, për rolin konstruktiv që vendi ynë do të vazhdojë të luajë në këtë organizatë.

Top Channel