Vllaznia përkohësisht në krye

28/09/2013 00:00

Dopjeta e Bushiç dhe goli i Hajdarit i kanë dhënë fitoren 3-0 Vllaznisë ndaj Laçit dhe përkohësisht vendin e parë në klasifikimin e Superligës.

Me rezultatin dhe me lojën e luajtur në “Loro Boriçi”, shkodranët e drejtuar nga Agim Canaj vazhdojnë të tregojnë se do të jenë një kockë e fortë për skuadrat e tjera pretendente për titull.

Aktualisht Vllaznia është skuadra që ka shënuar më shumë dhe që ka pësuar më pak gola. Partizani i Hasan Likës barazoi edhe këtë fundjavë në “Selman Stërmasi” 0-0 me Flamurtarin, një rezultat që i ngjit kryeqytetasit në vendin e tretë.

Momenti vendimtar i sfidës ishte në sekondat shtesë të saj, kur Krasniqi humbi një 11-metërsh, duke mos i dhënë mundësinë të kuqve t’i gëzoheshin fitores së parë në shtëpi.

Bylisi shkatërroi 3-0 Besën, skuadër e cila vazhdon të mbetet në vendin e fundit në klasifikim pa asnjë fitore dhe vetëm 1 barazim. Meto, Xhejms dhe Izuçuku janë autorët e triumfit të balshiotëve të Egbosë, të cilët ngjiten në kuotën e 7 pikëve.

Ndërkohë, Kukësi mundi minimalisht 0-1 Kastriotin, duke marrë dhe fitoren e dytë sezonale. Protagonisti i fitores së skuadrës verilindore ishte Cikalleshi, autori i golit të vetëm të ndeshjes. Java e 5 e superligës do të mbyllet me ndeshjet e së dielës, Teuta-Tirana dhe Skënderbeu-Lushnja.

Top Channel