Shkrirja e Gardës, Noka: Akt hakmarrjeje

28/09/2013 00:00

Vendimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për reformimin e plotë
të Gardës së Republikës, është cilësuar si një akt të paprecedent
revanshi dhe hakmarrje nga Partia Demokratike.

Deputeti demokrat, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, në një dalje publike për mediat ka deklaruar se vendimi i Tahirit është dëshmi e qartë e urrejtjes dhe hakmarrjes, “që kjo qeveri tregon ndaj këtij institucioni, që pengoi tentativën për grusht shteti në 21 janar”.

“Është hakmarrje primitive ndaj institucionit dhe efektivave që penguan në realizimin e ëndrrës famëkeqe për marrjen e pushtetit me dhunë. Hakmarrje ndaj atyre që mbrojtën rendin dhe institucionet kushtetues. Hakmarrje ndaj atyre që më 21 janar, mbrojtën shtetin nga Rama dhe Tahirët e tij, që përfaqësonin antishtetin, hakmarrje ndaj institucionit që mbrojtën ligjin nga Tahiri dhe hordhitë, që më 21 janar përfaqësonin egërsisht antiligjin. Kjo ndodh kur në krye të pushtetit është vetë antishteti, kjo ndodh kur në krye të institucioneve të zbatimit të ligjit emërohet zjarrvënësi dhe dirigjenti i dhunës së 21 Janarit”, thotë Noka.

Sipas tij vendosja e Tahirit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme është mbrojtja që Rama po u jep organizatorëve, skenaristëve dhe zbatuesve të atij skenari famëkeq të 21 janarit.

Top Channel