Fjalën e parë të mbajtur përpara Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama e ka nisur pikërisht me sfidën dhe angazhimin që i ka vënë vetes për të drejtuar Shqipërinë në një moment tejet të rëndësishëm: rrugëtimi drejt bashkimit me Europën.

Duke nënvizuar se Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por me një histori të gjatë dhe një potencial të madh, Edi Rama deklaroi se:

“Në të vërtetë, njerëzit në mbarë botën mund të mos dinë aq shumë lidhur me Shqipërinë, por ajo çka besojnë se dinë nuk është e mirë. Industria e filmit nuk është treguar kaq e mirë me ne. Wag The Dog? Taken 1? Taken 2? Pas tyre, edhe unë vetë pata pak frikë që gjendesha në Shqipëri! Shpresoj që një ditë, Liam Neeson, Dustin Hoffman dhe Robert de Niro të mund të na vizitojnë, të shohin se ç’vend i bukur është, të ndjejnë po atë potencial që unë ndjej. Por unë nuk jam naiv. Problemet tona nuk janë të gjitha krijesë e Hollivudit. Disa janë reale e sjellin dëme. Korrupsioni është ai që i shenjon vendet ashtu siç tehu i lë vragë një fytyre të bukur. Ai i ndalon investuesit e ligjshëm të investojnë, mban peng përparimin, nuk i lë njerëzit të besojnë se dikur do të ketë drejtësi. Korrupsioni mund e duhet të mposhtet, nëse duam të ndërtojmë ekonominë e shtetin ligjor për të cilin kemi nevojë, të përftojmë investimet që na duhen, ta tërheqim turizmin që meriton peizazhi, trashëgimia dhe populli ynë i ngrohtë e mikpritës”, deklaroi Rama.

Përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së, theksoi Rama, nuk janë të vetmet. I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i vendosur për ta kryer këtë rrugëtim dhe kjo është më e mundshme tani që janë kapërcyer konfliktet e vjetra.

“Dua të ndaj me ju bindjen se marrëveshja e shënuar midis Kosovës dhe Serbisë i dha fill një periudhe të re në rajonin e Evropës Juglindore. Dialogu mes tyre, një akt kuraje e maturie treguar nga Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin mjaft të vlerësuar të Bashkimit Evropian, vendos përballe sfidave secilin vend të rajonit që të mobilizohet në përpjekje për forma të reja e novatore bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Jo gjithçka është e lehtë apo e përkryer. Ka disa nga ata që aty-këtu mendojnë me të kaluarën në kokë. Sidoqoftë, e vërteta mbizotëruese është se kryeministrat Thaçi e Daçiç iu kanë dalë për zot përgjegjësive të tyre drejtuese për t’i çuar vendet e veta drejt së ardhmes që meritojnë. Më shumë se gjithçka, në një botë të ndërlidhur e të ndërvarur si kurrë ndonjëherë, ku hapësira e marrëdhëniet rikrijohen në vazhdimësi, është thelbësore të jetojmë kohën e re, pa zgjatur atë të vjetrën, atë të konflikteve, të nacionalizmit. Në këtë kuptim, Shqipëria është e përkushtuar për paqe e begati në rajon”, nënvizoi Rama.

Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Edi Rama si kryeministër bëri edhe kërkesën e parë publike drejtuar të gjitha shteteve: Njihni Kosovën.

“Atyre që janë mosbesues iu them: Populli i Kosovës, ashtu si të gjithë popujt që tashmë gëzojnë republika të pavarura e të njohura plotësisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, meriton njohje të sovraniteti të tij, veçanërisht se ka dëshmuar më shumë se çdo popull i rajonit përkushtimin e padiskutueshëm ndaj të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave, dialogut dhe paqes. Pa këtë përkushtim do ishte shumë e vështirë që rajoni ynë të përparonte drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Rama.

Ashtu siç ai deklaroi, se nuk kishte dashur të fliste për konflikte në këtë fjalim, kjo u bë e pashmangshme, shtoi Rama, nga zhvillimet e fundit në Siri, ku armët kimike vranë qytetarë të pafajshëm, krim që ai deklaroi se duhet ndëshkuar.

“Përdorimi së fundi i armëve kimike në shkallë të gjerë është një krim i neveritshëm, krim kundër njerëzimit, që nuk mundet e nuk duhet assesi të mbetet i pandëshkuar. Sërish, edhe pse tabloja është e mjegullt, një shkëndijë shprese ka lindur. Këshilli i Sigurimit më në fund miratoi dje një rezolutë për largimin dhe shkatërrimin e armëve kimike në Siri, të cilën ne e mirëpresim. Tashmë, ajo duhet të ndiqet nga një zbatim i shpejtë dhe i plotë”, vlerësoi Rama.

Fundin e fjalimit prej 16 minutash në OKB, Edi Rama ia kushtoi sërish angazhimit për të rilindur Shqipërinë, duke deklaruar se kjo kërkon lidership, gjë të cilën ai tha se mbetet plotësisht i vendosur ta japë.

“Por kam besim, por edhe përulësinë e mjaftueshme për të ditur se nuk mund ta bëj këtë i vetëm. Kam shumë për të mësuar dhe OKB-ja është një prej atyre ndërtesave ku gjithnjë gjen njerëz, individë, qeveri që mund të të mësojnë me anë të përvojës, të të drejtojnë nëpërmjet shembullit. Ne kemi nevojë për mbështetje; kemi nevojë që të kemi krah nesh partnerë e miq që kanë vullnetin të jenë pjesë e rrugëtimit tonë drejt ndryshimit. Rilindja nënkupton një Shqipëri të re. Ndërtimi i kësaj Rilindjeje është sfida me të cilën përballem. Do të duhet kohë. Do të duhet këmbëngulje. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Do të duhet, gjithashtu, udhëheqje, për të cilën jam i përkushtuar. Por e di dhe e besoj, mund të bëhet”, e mbylli Rama fjalimin e tij. 

Më herët gjatë qëndrimit në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme, kryeministri Rama drejtoi Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias.

Duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Rama shprehu besimin e tij se, Evropa nuk është një destinacion para nesh, por brenda nesh, duke e konsideruar një proces që varet së pari nga politikëbërësit. 

Rama për VOA: Aksioni i 100 ditëve të para
Administrata? S’kemi në plan spastrimin, por shtetndërtimin

Në një intervistë dhënë ‘Zërit të Amerikës’, kryeministri Edi Rama tha se 100 ditët e para të qeverisë së re kanë nisur me aksione konkrete dhe se do të vazhdojnë me luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit në shërbim të qytetarëve.

“Puna e 100 ditëve të para ka nisur, një punë në të gjitha drejtimet, me aksione konkrete në çdo fushë, aksione që synojnë të shkundin thellë një administratë tërësisht të përgjumur, të demotivuar, dhe që ka shumë për të bërë, e mbi të cilën ne do të mbështetmi fuqimisht. Por, nga ana tjetër dhe të godasim, në ato aspekte dhe në ato drejtime, ku ne kemi identifikuar se duhet të nisë një luftë kundër korrupsionit dhe beteja për të ndërtuar shtet në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Rama.

Duke mos e ndarë në përgjegjësi të socialistëve apo demokratëve kontrollin mbi territorin, kryeministri Rama paralajmëroi një aksion të fortë deri shkatërrimin e të gjitha ndërtimeve të paligjshme në vend.

“Kjo është një përgjegjësi kombëtare, kjo është një përgjegjësi qytetare dhe padyshim është dhe një përgjegjësi politike e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ne do ta marrim këtë si përgjegjësi tonën dhe në ditët  në vijim, do të vëmë në zbatim një plan, që po detajohet imtësisht, për një aksion që nuk do të ndalet, deri kur kontrolli mbi territorin të jetë vendosur dhe ligjshmëria mbi territor të jetë e pakontestueshme nga askush, apo nëse dikush e konteston të përkthehet në ndëshkime të forta, të cilat do të jenë shprehje e domosdoshmërisë që ndaj territorit të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe të jemi të gjithë bashkëpunues”, theksoi Rama.

I pyetur lidhur me cështjen e statusit të nëpunësit civil dhe akuzave për spastrim të administratës me shtyrjen e hyrjes në fuqi të tij, Rama tha se ligji i miratuar me tre të pestat është i pazbatueshëm pasi nuk është shoqëruar me aktet e domosdoshme nënligjore.

“Akuzat për spastrime, janë të gjitha, le të themi, shembuj të asaj shprehjes, që thotë: “kush shpif ndaj teje, e bën duke u nisur nga çka është në gjendje, në fakt, të bëjë vetë”.  Ne nuk kemi plane spastrimi. Ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve dhe të një administrate, që është aty, për t’u shërbyer qytetarëve, të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit”, sqaroi Rama.

Kryeministri Rama e quajti emergjente shlyerjen e borxhit prej 400 mln eurosh që qeveria u ka bizneseve për punët publike të kryera e që do të realizohet përmes një skeme të qartë financimi në dialog me këshilltarë të nivelit të lartë botëror, FMN-në, Bankën Botërore dhe vetë sipërmarrjen.

Top Channel