Hetim “tërmeteve” të naftës

28/09/2013 00:00

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri deklaroi gjatë një takimi me banorë të bashkisë Patos dhe komunave Zharrë e Kuman se qeveria do të nisë një hetim për të përcaktuar shkaqet e lëkundjeve të tokës në këto zona.

“Jo më larg se të hënë apo të martë do nxjerrim urdhërin e ngritjes së një grupi teknik për të bërë një studim të pavarur. Të mos mbetemi më tek studimet që t’i paguajë kompania, që është tek e fundit objekt i këtij studimi. Të gjehet kush është e vërteta”, deklaroi Gjiknuri.

Zoti Gjiknuri tha se, nëse hetimi do të përcaktojë se shkaku i lëkundjeve po edhe ndotjes mjedisore vjen nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës, atëherë shteti do detyrojë kompanitë të dëmshpërblejnë banorët.

“Unë kam pasur kontakte me kompanitë. Nuk kemi asgjë ndaj tyre, përkundrazi na intereson harmonizimi i aktivitetit të tyre. Por na intereson edhe harmonizimi i interesave të publikut. Nëse del që aktiviteti dëmton shëndetin e njerëzve, atëherë ne nuk do ta lejojmë”, tha Gjiknuri.

Kreu i Energjitikës tha gjithashtu se qeveria do të monitorojë nga afër konçesionet në fushën e naftës, pasi ka dyshime se ato fshehin të ardhurat për të mos paguar taksa.

“Kompanitë e huaja kanë marrë këto kontrata dhe na dalin me humbje, kur të gjithë jemi dëshmitarë të investimeve të mëdha dhe blerjeve. Shteti duhet të intensifikojë monitorimet e këtyre kontratave dhe të marrë përfitimet nga nafta”, shtoi Gjiknuri.

Sipas një raporti të prezantuar nga specialistët e naftës, zona naftëmbajtëse Patos-Marinzë ka një ndotje mjedisore 18 herë më të lartë se norma e lejuar.

Si pasojë e aktivitetit naftënxjerrës, dhejtëra hektarë tokë bujqësore janë bërë të papunueshme, ndërsa ndotja ka përfshirë edhe ujërat nëntokësore. Banorët vuajnë në masë të madhe edhe nga problemet e karbonit në gjak.

Top Channel