Ditëlindja e Totti, Roma vishet verdhekuq

28/09/2013 00:00

Kur thua Totti, thua Roma dhe kryeqyteti italian të premten u vesh nga ngjyrat verdhekuq për të festuar ditëlindjen e 37-të të kapitenit.

Për nder të kapitenit ishte menduar gjithcka, madje edhe torta e ndërtuar me gjithë simbolet dhe ngjyrat romane, që nga Koloseu e deri tek helmeta e preatorëve të Romës së lashtë.

Torta peshonte 37 kile, aq sa peshojnë vitet mbi supet e Totti-t, në formën e Koloseut, simbolit të Romës dhe në vend të qirinjve, mbi të ishte e vendosur helmeta e preatorëve romakë, ndërsa në anë një top me numrin 228, aq sa golat e kapitenit me ngjyrat verdhekuqe.

Kapiteni i Romës festoi ditëlindjen e tij kur skuadra po kalon një formë të mirë. Verdhekuqtë ndodhen të parët në Serinë A, të vetmit me 5 fitore në po kaq takime, ndërkohë që pak ditë para 37-vjetorit, ai rinovoi kontratën që e mban të lidhur me ngjyrat verdhekuq deri në moshën 40-vjeçare.

Top Channel