“Curiosity” vazhdon misionin studiues në sipërfaqen e Marsit dhe informacioni i fundit i mbërritur nga “Planeti i kuq” është sasia e ujit që ai fsheh.

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA deklaroi se ka një sasi të konsiderueshme uji që strehohet nën pluhurin e sipërfaqes së planetit. Gjetja e H2O u krye nga sonda e mbërritur në këtë planet një vit më parë.

“Curiosity” grumbulloi një sasi pluhuri nga sipërfaqja e Marsit dhe u vu re që në temperatura të mëdha nga ky pluhur çliroheshin avuj uji.

Shkencëtarët e NASA-s thanë për revistën “Science Magazine” që sipërfaqja e “Planetit të kuq” në 2 përqind të peshës së saj përbëhet nga uji. Ata thonë që ky zbulim mund të jetë tejet i dobishëm për astronautët në të ardhmen.

“Curiosity”, fjala e fundit e teknologjisë së NASA-s, është në gjendje të sigurojë mostra nga sipërfaqja e Marsit dhe të analizojë përbërjen e tyre. Falë kësaj teknologjie janë zbuluar një sërë elementësh përbërës të “Planetit të kuq”.

Lajmi i mirë këtë herë ishte gjetja e gjurmëve të ujit, por ka edhe një lajm të keq. Vec ujit në Mars ekzistojnë në gjurmë të mëdha edhe perkloratet, kripëra derivate të acidi perklorik, të dëmshmë për organizmin njerëzor.

Top Channel