Shkelën kriterin e gjinisë, KQZ gjobit partitë

27/09/2013 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur partitë politike që nuk plotësuan kriterin e gjinisë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Ndër shkelëset e këtij kriteri të Kodit Zgjedhor janë 3 partitë e mëdha, PS, PD dhe LSI si dhe Partia Popullore Kristian Demokrate.

“Nga 66 parti që regjistruan listat shumë-emërore për zgjedhjet në Kuvendin 2013, për katër prej tyre KQZ vendosi sanksionin administrativ gjobë për mosrespektim të kriterit të përcaktuar në nenin 67 pika 6 e Kodit Zgjedhor, kriterin e Gjinisë”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.

Partia Socialiste u gjobit me 6 mln lekë për mosrespektim të kuotës gjinore 30 përqind për gjininë femër. Partia Demokratike gjobitet në masën 4 milion lekë, po aq sa edhe LSI.

Gjoba më e lartë shkoi për Partinë Popullore Kristian-demokrate që nuk e kishte respektuar kriterin e gjinisë në listat për qarkun Dibër, Kukës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korcë, Tiranë dhe Vlorë. Për këtë KQZ vendosi gjobë në masën 8 mln lekë.

Me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ rillogariti fondet e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 23 qershorit dhe ashtu sic parashikohet nga Kodi, KQZ ka zbritur nga shuma e përfituar nga PD, PS dhe LSI gjobat e vëna ndaj tyre.

Top Channel