Ronaldo del në mbrojtje të tifozit shqiptar

27/09/2013 00:00

Cristiano Ronaldo i dërgoi këtë javë një letër policisë së Majemit ku i kërkon rrëzimin e të gjitha akuzave ndaj 20-vjeçarit shqiptar, Ronald Gjoka.

20-vjeçari shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe tifoz i madrilenëve, përfitoi nga takimi miqësor Real Madrid-Chelsea gjatë verës, për të hyrë në fushë dhe për të përqafuar idhullin e tij.

Përqafimi përfundoi në kohën kur në fushë u fut policia që arrestoi të riun shqiptar. Por realizimi i ëndrrës për 20-vjeçarin shkaktoi më shumë telashe nga sa ai mund të mendonte. Policia ngriti akuzat ndaj tij për prishje të rendi publik.

Si dënim, i riu shqiptar rrezikon që pas përfundimit të kolegjit të rikthehet në Shqipëri. Por i vënë në dijeni për këtë fakt, Ronaldo ka dalë në mbrojtje të tifozit të tij të zjarrtë.

Asi portugez në letrën e tij u kërkon autoriteteve amerikane që të falin shqiptarin dhe ta lejojnë atë që të vazhdojë jetën e tij në Shtetet e Bashkuara.

“Kuptoj situatën tuaj dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit, por me respekt të thellë ju kërkoj të rishikoni vendimin dhe të hiqni akuzat kriminale ndaj të riut”, thuhet në letër.

Top Channel