Rama, sot fjalim në universitetin “Columbia”

27/09/2013 00:00

Paraditen e tw premtes, Kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim në
universitetin prestigjioz “Columbia” në Nju Jork, ku do të flasë në
lidhje me sfidat që ka përpara Shqipëria në kuadër të transformimit të
pritshëm dhe rrugës drejt Bashkimit Europian.

Ndërkaq, një takim interesant Rama zhvilloi me Presidentin e Turqisë, Abdullaj Gyl, dje në pallatin e qelqtë të OKB-së, ku theksi u vendos te ndihma që vendi aleat do t’i japë Shqipërisë dhe në fushën e shërbimeve spitalore.

Po kështu Gyl dhe Rama biseduan edhe për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë. Një tjetër takim, Rama zhvilloi me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev, dhe atë të Kroacisë, Ivo Josipoviç, ku diskutoi në lidhje me mbështetjen që mund t’i jepnin këto vende, Shqipërisë në rrugën e Bashkimit Europian.

Ai gjeti mbështetje nga krerët e këtyre shteteve për aprovimin e kërkesës së Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat këtë dhjetor. Një takim të rëndësishëm, Rama zhvilloi dhe me homologun e tij, malazez Milo Gjukanoviç. Në takimin me Kryeministrin e Malit të Zi, bashkëpunimin rajonal, në mënyrë të veçantë në dy fusha: studimin e mundësisë për degëzimin e rrjetit të TAP drejt Kosovës dhe Malit të Zi, si edhe krijimit të një projekti të përbashkët për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë, për të lidhur bregdetin Adriatik me atë Jon.

Një tjetër takim, Rama zhvilloi me drejtoreshën e Përgjithshme të PNUD, Helen Clark në të cilin u fol në lidhje me mundësitë e reja që marrja e statusit të vendit kandidat do të hapte për Shqipërinë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Rama e ftoi drejtoreshën e PNUD-it të jepte kontribut dhe në ngritjen e kapaciteteve të administratës dhe burimeve njerëzore, për të qenë plotësisht të përgatitur në raport me sfidat dhe detyrimet e reja që Shqipëria pritet të ketë shumë shpejt kundrejt BE.

Top Channel